DVP Shkodër

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2024, në banesën e shtetasit A. F., ku u vu një sasi lënde plasëse.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, dokumentohet me prova ligjore autorësia e 2 rasteve të venies së lëndës plasëse, në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F.

Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, i shpallur në kërkim në muajin gusht, si autor i dyshuar për vënien e lëndës plasëse në agjencinë funerale.

Vihet në pranga motra e tij.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, 1 radio si e Policisë, laptop, 1 DVR, 11 celularë dhe 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i dy rasteve të vënies së lëndës plasëse në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi B. P., 35 vjeç.

Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen L. P., për marrjen e një shume parash nga shtetasi A. F., me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetases L. P.(R)., 38 vjeçe, banuese në Shkodër. Gjatë kontrollit në subjektin që administronte (parukeri), shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. P., me precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura dhe kanë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e Policisë, 1 laptop, 1DVR dhe 11 celularë. Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, si dhe për shtetasen L. P.(R)., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Artikulli paraprakPOLICIA “BLINDON” QYTETIN E LEZHËS
Artikulli tjetër“E SHOH ÇEHREN QË JU KA RËNË, POR…”/ BERISHA PAS 11 MUAJSH NË KUVEND: TENTUAT TË VARROSNIT DEMOKRACINË!