Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Iballë të bashkisë Fushë Arrës mbrëmjen e 9 gushtit. Një i mitur 6-vjeçar pasi i ka rrëshqitur këmba në ecje e sipër pranë digës së rezervuarit të Iballës ka përfunduar në ujërat e këtij rezervuari por pa mundur që të mbijetojë. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa i mituri po kthehej bashkë me prindërit e tij nga bjeshkët e Iballës ku ata kishin punuar gjatë gjithë ditës për të mbledhur fruta të egra të pyllit. Teksa po ktheheshin për në banesën e tyre pasi kishin mbledhur manaferra në pyll, duke ecur pranë rezervuarit të miturit me inicialet O.K i ka rrëshqitur këmba duke rënë brenda në ujë.

Prindërit menjëherë kanë tentuar që ta nxjerrin të miturin por ka qenë e pamundur pas aksidentit me pasoja fatale për 6-vjeçarin. Pas ngjarjes së rëndë policia mbërriti menjëherë pranë rezervuarit ku ndodhi aksidenti i të miturit duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të mbytjes së 6-vjeçarit në ujë. Sipas njoftimit të policisë vendore të Shkodrës i mituri është nxjerrë nga uji nga familjarët dhe i është dhënë ndihma e parë, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Banorët e zonave malore të Fushë Arrësit për shkak të varfërisë dhe pjesa më e madhe të papunë, gjatë muajve të verës angazhohen për të siguruar të ardhura teksa mbledhin deri në orët e vona të mbrëmjes fruta të egra të pyllit të cilat më pas i shesin tek grumbulluesit. Ndërkohë rezervuari i Iballës ku ndodhi ngjarja e rëndë përdoret kryesisht për vaditjen e tokave bujqësore të fshatit. Kjo është hera e parë që një person mbytet në ujërat e atij rezervuari edhe pse banorët e zonës gjatë stinës së verës e përdorin si plazh për t’u larë. Humbja e jetës së 6 vjeçarit në mënyrë aksidentale tronditi komunitetin e Fushë Arrësit dhe Pukës por edhe më gjërë.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË AKSIN LEZHË-SHKODËR
Artikulli tjetërFËMIJËT NË KËRKIM TË LËMOSHËS, INSTITUCIONET HESHTIN