Rënia e fortë e euros në gjashtëmuajt e fundit krahasuar me lekun, ka sjellë jo vetëm frenim të rritjes së çmimeve.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj shprehet se për shkak se huaja e marrë prej shtetit shqiptar është në euro edhe borxhi ka shënuar një rënie.

“Në tremujorin e parë, borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022. Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm. Këtu dua theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit. Borxhi është i identifikuar dhe marrë në euro, kursi euros ka sjell dhe një rënie të borxhit publik”, u shpreh Ibrahimaj.

Optimiste Ibrahimaj u shpreh edhe për sa i përket karburanteve, duke shpresuar që tregu dhe çmimet janë stabilizuar ajo shton se do të shihet mundësia dhe për shkrirjen e bordit të transparencës.

“Bordi i Karburanteve ka qenë objekt diskutimi i madh gjatë vitit të shkuar. Gjykata Kushtetuese la në fuqi funksionimin e bordit dhe vendosi për ligjshmërinë e këtij bordi. I vetmi nen që ndryshoj lidhej me shfuqizimin e borxhit, që sipas aktit normativë, ishte një vendim që merrej nga vetë bordit. Ky nen u shfuqizua dhe bordi në bazë të vendimit të gjykatës kushtetuese do të ketë një formë tjetër ligjore për mbylljen e aktivitetit të tij. Situata e çmimeve në tregun e hidrokarbureve ka ardhur në normalizim. Po bëjmë të gjitha analizat që duhet me qëllim që të shikojmë mundësinë për vijimin e ecurisë së këtij borxhi. Ka qenë një instrument që ka ruajtur mos rritjen dhe mbajtjen nën kontroll të çmimeve të karburanteve. Uroj që çmimet karburanteve të janë normalizuar, me qëllim që të dalim nga regjimi i bordit”- u shpreh ministrja.

Në publikimin e rezultateve fiskale Ibrahimaj u shpreh se në këto tre muaj janë rritur me 22.5 për qind të ardhurat nga tatim fitimi.

“Në tremujorin e parë specifikisht të ardhurat kanë vijuar të rriten me ritme të përshpejtuar gjatë kësaj periudhe, në total 16.2 mld lekë, 11.7%, në krahasim me planin 3.67 mld realizim më shumë se sa të planifikuara. Shifra 11.7% është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e inflacionit 6.5%. Rritja e të ardhurave është ndikuar nga rritja e çmimeve, por në pjesën më të madhe është dhe aktiviteti ekonomik. Të ardhurat janë rritur 16.7%për tatimin mbi vlerën e shtuar, shifër që na ndihmon të kuptojmë tre mujorin e parë të ekonomisë. Edhe kjo ndjeshëm më e lartë se inflacioni 6.5%. Tatimi mbi fitimin +22.5%, lidhet ngushtë me atë të vitit 2022, kjo tjetër shifër që tregon ecurinë pozitive ekonomike për vitin e shkuar. Tatimi mbi të ardhurat u rrit 9.5%, 14.8% kontribute më shumë shoqërore. Taksa e jashtëzakonshme 14.1 mld lekë. Kontributet sipas kategorive, sektori ndërtimit +14.4%, prodhimit + 31%, shërbimet +13.6%. Transporti +24%, tregtia 11.2%.” u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Shtesë ka dhe nga tatimi mbi të ardhurat, por dhe nga sigurimet shoqërore. Ministrja tha se në tremujorin e parë janë 709 203 të punësuar. Ibrahimaj vlerësoi këto shifra si një ecuri të fortë të punësimit e shtoi se kanë ndikuar më shumë në rritjen ekonomike. Ndërsa peshën më të madhe në rritje e zë prodhimi teksa ka një rënie të lehtë në shërbime.

Artikulli paraprakSTAR TREND – 02.05.2023
Artikulli tjetërBENET BECI: VETËM ME PUNË MUND TA BËJMË SHKODRËN