Identifikohet 21-vjeçari i vrarë në rrethana të dyshimta
Sipas policisë britanike, një i ri nga Shqipëria, trupi i të cilit është gjetur në rrugë në rrethana të dyshimta, është 21-vjeçari Shkëlzen Dauti. Trupi i tij është gjetur në qytetin bregdetar të Southamptonit. I njohur si Geni, i riu është gjetur në orët e para të mëngjesit të së shtunës me një plagë në kraharor dhe është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës. Policia ka bërë kërkimet në një park afër vendngjarjes dhe ka kontaktuar banorët lokalë për të mësuar më shumë për rrethanat, ndërsa sipas gazetes britanike “Daily Mirror” mendohet se pjesëtarë të familjes dhe miq të viktimës kanë qenë bashkë me oficerët e policisë në vendngjarje. Kryededektivja Ellie Hurd, nga Policia e Hampshire që drejton hetimet për këtë vdekje, citohet nga BBC të ketë thënë se “po përpiqemi të mësojmë më shumë për rrethanat e asaj që i ka ndodhur Genit. Mbetet e paqartë aktualisht sesi iu shkaktuan këto plagë dhe duam të dëgjojmë nga cilido që mund të na ndihmojë për hetimin, për të mësuar për jetën që bënte Shkëlzeni në Southampton. Kushdo që e ka parë të premten dhe në orët e para të së shtunës duhet të na ndihmojë”. Sipas BBC-së, nuk ka ende arrestime në lidhje me këtë vdekje.