Qarku i Shkodrës rrezikohet nga përmbytjet në këto tre ditë. Sipas llogaritjeve të Institutit të Gjeoshkencave duke filluar nga kjo e dielë e 26 dhjetorit priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri dhe jug të territorit, në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në zonat urbane në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve. Në qarkun e Shkodrës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Përgjatë datave 26 deri 29 Dhjetor 2021 pritet një rritje e prurjeve në lumin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës. Ndërsa sa I takon reshjeve, priten reshje mesatare deri në lokalisht intensive në qarqet Shkodrër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, mesatare në qarkun e Lezhës dhe reshje të dobëta në qarqet e tjerë. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në zonat veriore dhe jugore të territorit (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Vetëm pak ditë më parë, si shkak i shirave intensive disa hektarë tokë në njësinë administrative Ana e Malit u rikthyen nën pushtetin e ujit për herë të dytë brena vitit. Situata e krijuar nga reshjet mbetet alarmante vit pas viti pasi qarku Shkodër mbetet ndër më të rrezikuarit nga prurjet në Kaskadën e Drinit.
Institucionet përgjegjëse kanë filluar punën për marrjen e masave dhe evitimin e një katastrofe të tillë natyrore duke pastruar kanalet e para dhe të dyta, si dhe janë mirëmbajtur argjinaturat.