Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme në orën 17:00 ka thirrur në një protestë kundër qeverisë, pasi e akuzon kryeministrin Edi Rama për ‘grusht shteti’. Kreu i shtetit në javët e fundit ka qenë mjaft aktiv duke postuar cdo ditë, dokumente dhe akuza që sipas tij vërtetojnë ‘grushtin e shtetit’ për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi iu hoq edhe e drejta ekskluzive e betimit të anëtarëve nëse nuk vepron për 10 ditë. ‘
Për këtë çështje, që sot parashikohet të firmosë edhe dekretin e paralajmëruar për kthimin e ligjit për rishqyrtim, por edhe të tjera, mes të cilave dividendin që ridenoncoi mbrëmë dhe që deklaroi se do ta çonte në SPAK, Ilir Meta ka thirrur popullin në shesh.
Përgatitjet dhe organizimin për 2 marsin Presidenca i ka nisur disa javë më parë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u ka dhënë dorën e fundit, ku në faqen e Piramidës është afishuar një banderolë ku shkruhet “2 mars ora 17:00” si një ftesë dhe kujtim për çdo qytetar që kalon aty, e ndërsa janë vendosur edhe bokset, ekrani dhe podiumi, ku pritet që të flasë vetëm Presidenti.
Në krah të Ilir Metës, jo në podium, por me mbështetje me militantët në shesh sot do të jetë jo vetëm bashkëshortja e tij, kryetare e LSI-së, por edhe Lulzim Basha, që e konfirmoi mbrëmë atë që strukturave ua kërkoi ditë më parë që të dalin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të mbrojtur Kushtetutën, pasi Meta i kërkoi Bashës “10 mijë veta në shesh”.
Siguria? Ambasada Amerikane në Tiranë u kërkoi qytetarëve që sot të saj që të qëndrojnë larg sheshit, por kreu i shtetit reagoi menjëherë duke njoftuar se zhvilloi një takim në Presidencë me drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, ndërsa institucionet, tha ai, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Brendshme do i mbrojnë aktivistët, të cilëve do u jepet nga një mimozë dhe një flamur kuqezi. Tashmë gjithçka mbetet për t’u parë.