Makina e parë shqiptare u shfaq dje në ekspozitën TREDITECH, me seli në Torino, Itali.
Supervetura e re Illyrian Pure Sport e krijuar nga shqiptar i Kosovës, Qëndrim Thaçi, ka një motor 6.2 litërsh LT2 V8 me 840 kuaj/fuqi.
Shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë. Ndërsa, çmimi i saj do të fillojë nga 1.2 milion euro deri në 1.7 milion euro – në bazë të specifikave.
Qëndrim Thaçi është rritur në Itali, por është nga Komuna e Drenasit. Si themelues i “Arrera Automobil”, ai është gati ta promovojë projektin në mbarë globin.
Sipas Thaçit, makina Illyrian Sport Pure do të jetë në mesin e pesë automjeteve më të shpejta në botë në kuadër të modeleve të hipermakinave.
“Gjyshi më la amanet, që ta çoj këtë punë deri në fund”, pati thënë ai gjatë një interviste për mediat vendore.
“Nderin e kam mësu prej familjes time shqiptare, shqiptarët kanë nder shumë të madh. Ne punojmë shumë me nder. Për këtë arsye u ktheva në Kosovë, pasi që ne mund të bëjmë gjëra shumë të mira”.
Thaçi është diplomuar në shkollën italiane për dizajn industrial, e njohur si eAD, ndërsa më herët është diplomuar për stomatologji.Ai ka qenë i përfshirë në projekte shumë të mëdha si Ferrari dhe Lamborghini.
Ky projekt pritet të jetë një rival i fortë i Lamborghini Aventador apo Ferrari 812 Superfast.