Çmimi i lartë i shitjes së vajit të lulediellit deri në 400 lekë ka shtuar ndjeshëm në këtë periudhë futjen e produktit kontrabandë nga pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi.

Shqetësimi për rritjen e kontrabandës është ngritur nga grosistët kryesore të tregtimit të vajit të lulediellit në mbledhjen e Bordit të Transparencës për produktet e shportës.

Grosistët pohuan për Monitor se po goditen nga importet e larta të vajit të lulediellit kontrabandë.

Sipas tyre për periudhën janar-mars shitjet e vajit të ambalazhuar janë 55% më pak se mesatarja e 2 viteve të fundit për të njëjtën periudhë, ndërsa shteti siç pohojnë importuesit nga moszhdoganimet po humbet 70 lekë për litër TVSH.

Në rënien e shitjeve përveç tregtimit të vajit kontrabandë kanë ndikuar edhe rezervat e konsumatorëve, pasi të panikuar nga çmimet në muajt shkurt dhe mars shumë konsumatorë krijuan rezerva vjetore vaji. Nga maji supermarketet nisën kufizimet e shitjes nga 3 deri 6 litra për konsumator.

“Kontrabanda e tregtimit të vajit të lulediellit në këtë periudhë është rritur në mënyrë të frikshme. Shumë tregtarë të vegjël apo individë të caktuar duke përfituar nga TVSH zero e shitjes së vajit në Maqedoninë e Veriut dhe 8% TVSh-ja në Kosovë dhe Malin e Zi po në Shqipëri vaj të pa zhdoganuar.

Nëse më përpara në pikat kufitare vaji po blihej me kuti, tashmë po hyn me furgona dhe në sasi shumë të lartë. Kjo situatë po dëmton importuesit e ndershëm, pasi vaji i blerë në Maqedoni me TVSH zero është 290 lekë për litër dhe shitet në tregun shqiptar 310 lekë për litër.

Ndërkohë importuesit po furnizohen nga jashtë me vaj me çmim 370 deri 375 lekë për litër me shumicë. Ketë shqetësim e kemi ngritur në mbledhjen e bordit ku na është komunikuar se do të nisin verifikimet dhe marrja e masave”, nënvizoi një nga grosistët kryesorë të vajit.

Grosistët nënvizojnë se mallrat kontrabandë po shiten masivisht jo vetëm pranë qyteteve kufitare, si Dibër, Korçë, Pogradec, Shkodër, por edhe në Tiranë dhe qytetin e Lezhës. Importuesit thonë se këto mallra janë lehtësisht të verifikueshme, pasi nuk kanë etiketë në shqip dhe origjina e mallit është shkruar me shkronja të pakuptueshme cirilike.

Sakaq Bordi i transparencës për produktet e shportës në mbledhjen e sotme vijo të mbajë të pandryshuar çmimin e shitjes së vajit të lulediellit për konsumatorin 381 lekë për litër dhe për tregtarët e shumicës 375 lekë për litër.

Çmimet kanë mbetur të pandryshuara prej disa javësh. Nga një konstatim i Monitor në terren në shumë dyqane ushqimore dhe supermarkete vaji ushqimor po tregtohet edhe me çmim 400 lekë për litër.

Në mbledhjen e radhës importuesit kanë kërkuar të bëhet një ndarje në tavanet e çmimeve dhe marzhet e lejuara të fitimit për importuesit e vajit të ambalazhuar nga jashtë, nga ata që e importojnë vajin e përpunuar, por ambalazhimi bëhet në Shqipëri.

Kërkesa vjen pasi marzhi bruto i fitimit të lejuar prej 25 lekë të përcaktuar nga Bordi i Transparencës nuk arrin të mbulojë kostot operacionale fikse të operatorëve, duke nisur që nga kostot e ambalazhimit që arrijnë 20 lekë, taksat dhe pagat e punonjësve. Nga bordi i transparencës është vendosur që çmimi tavan do të rishikohet pas shqyrtimit të kostove operacionale./ Monitor

Artikulli paraprakPUTIN PARALAJMËRON PERËNDIMIN: NËSE FURNIZONI UKRAINËN ME RAKETA, DO TË ASHPËRSOJMË SULMET E RËNDA
Artikulli tjetërBETEJA ME FLAKËT NË ISHULLIN E SAZANIT VIJON, ÇFARË PO NDODH NË ISHULLIN SHQIPTAR