Deputetja Ina Zhupa, e cila ka qenë përfaqësuese e disa padive në Gjykatën Kushtetuese ka reaguar në lidhje me largimin e Elsa Toskës si dhe mos zbatimin e vendimit për Olta Xhaçkën nga Kuvendi. Sipas Zhupës, dorëheqja e Elsa Toskës akt i dyshimtë mbi presionin e mazhorancës
‘Gjykata Kushtetuese sot është e nëpërkëmbur dhe e zhvlerësuar.
Gjykata ka vetëm dy rrugë: ose të marr vendime pro mazhorancës dhe ti njihen ose vendimet e marra jashtë vullnetit mazhorancës nuk do zbatohen dhe nuk do njihen nga parlamenti. Në këtë minim të drejtësisë vjen edhe lajmi i dorëheqjes së një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, që në çdo vend tjetër do ishte temë themelore e diskutimit mbi arsyet dhe motivet. Elsa Toskën se kam njohur dhe se kam takuar kurrë në jetë. Por kam qënë në sallën e Gjykatës Kushtetuese për të parë integritetin e saj në qëndrime dhe profesionalizmin e saj në vendimarrje. Ndoshta këto kanë qënë arsyet që e kanë detyruar të jap dorëheqjen… ndoshta më shumë gjyqtarë vegla duhen sesa balanca e brishtë 5-4 e shumë vendimarrjeve të fundit. Kjo mund të jetë nevoja e re e pushtetit.
Secili nga ne është i rrezikuar kur cënohet integriteti i vendimarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, që në thelb garanton mos cënueshmërinë e të drejtave tona themelore kushtetuese, ndarjen dhe balancën e pushteteve dhe integritetin dhe sovranitetin e vendit.‘- shkruan Zhupa.