Me një kapacitet pritjeje prej 90 milionë pasagjerësh në vit, sot hapet aeroporti i ri i Stambollit, për të cilin presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përgatitur një hapje solemne.
Pjesë e ceremonisë së hapjes së këtij aeroporti do të jenë krerë shtetesh dhe krye diplomatë nga vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë edhe presidenti Ilir Meta ka pasur një ftesë të veçantë për rastin e përurimit të aeroportit të ri në Stamboll.
Kompleksi gjigand pritet të përfundojë plotësisht në 2023 dhe ai do të ketë një kapacitet prej 500 avionësh që do mund të lëvizin në pista të ndara dhe rreth 200 milion pasagjerë vjetorë, gjithashtu një parkim të hapur dhe të mbyllur ku mund të qarkullojnë rreth 70 000 makina.
Përveç pistave të avionëve, ky do të jetë gjithashtu edhe kompleksi me i madh duty-free në botë. Me një sipërfaqe rreth 53 000 metra katrorë do të ketë në të dyqane luksoze dhe jo vetëm.
Udhëtimi i parë nga ky aeroport do të jetë drejt kryeqytetin turk Ankara më 31 tetor, ndërsa fluturimi i parë ndërkombëtar me Republikën Turke të Qipros Veriore të nesërmen.