Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, si dhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Stevo Pendarovski, morën pjesën në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në oborrin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti Begaj përgëzoi Ambasadën e Kosovës për iniciativën. “Kurrë mos u shqetëso për numrat – na mësonte Nënë Tereza, por – ndihmo dikë, duke filluar me ata që ke pranë”. E ku më mirë se mes nesh, e këtu në rajonin tonë, ka vlerë ky mesazh solidariteti dhe bashkëpunimi, sa njerëzor aq edhe institucional” – u shpreh në fjalën e tij Presidenti Begaj.
Sipas Presidentit Begaj, devotshmëria e Nënë Terezës në ndihmë të njerëzve në nevojë, dhembshuria dhe përpjekjet e saj për t’ju dhënë shpresë atyre në mjerim, na motivon çdo ditë në jetën dhe punën tonë, për të qenë pranë njerëzve e për të jetuar me shqetësimet e tyre.
Kreut i Shtetit theksoi gjithashtu: “Jemi krenarë që jemi pjesë e trashëgimisë së saj etnike e kulturore, por kjo nuk mjafton! Duhet që me përulësi e mirënjohje ta ruajmë atë trashëgimi vlerash të larta morale që ajo na la e të jemi gjithmonë pranë njerëzve, veçanërisht pranë atyre që kanë më shumë nevojë”.