Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike, një strukturë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është tashmë funksionale edhe me mbështetjen e aleatit strategjik të Shqipërisë, SHBA. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, David Wisner si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Arben Kingji morën pjesë në inaugurimin e kësaj njësie që do të luajë një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit. Ata u njohën nga afër me strukturën dhe funksionin e kësaj njësie, që ka si qëllim menaxhimin e sistemeve të sigurisë kibernetike që mbikqyrin/monitorojnë, Sistemet e Komunikimit dhe Informacionit të Forcave të Armatosura nga ndërhyrjet e paautorizuara në këto sisteme. Pranë kësaj njësie do të jetë i atashuar edhe një këshilltar i huaj, i cili do të mbështesë këtë strukturë për 3 vjet për sigurinë kibernetike.
Në këtë njësi përdoret teknologjia më e fundit , ashtu si edhe në SHBA, ndaj sipas ekspertëve nuk ka patur asnjë rrjedhje informacioni të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se synimet janë që kjo njësi të shërbejë edhe si një shkollë për të trajnuar ekspertët, jo vetëm për fushën e mbrojtjes, por edhe agjencitë e tjera dhe pse jo edhe tregun privat.
“Jo vetëm projekti që është shumë i plotë, por ne kemi mundësinë e madhe që në rrjetin e qendrave të inovacionit, të mbrojtjes kibernetike të NATO-s të marrim informacione të vazhdueshme, të kemi trajnime. Ka një qendër të NATO-s në Estoni, ku ne jemi pjesë e saj. Mundëistë janë shumë të mëdha.
Është arritur brenda një kohe të shkurtër një standard mbrojtjeje shumë i lartë. Janë shumë të motivuar, janë 50% ushatarkë, 50% janë civilë. Duam ta shtojmë akoma më tej këtë strukturë, ta përdorim si shkollë për të trajnuar ekspertë që mund t’i shërbejnë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe sektorin privat, sepse në fund të fundit kjo rrit kapacitetet mbrojtëse kombëtare”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Aktualisht, sipas ekspertëve ka çdo ditë 1500 deri në 2 mijë sulme, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar kritik. Në njësinë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, e cila përbëhet nga tre sektorë të veçantë punohet pa ndërprerje (24/7).