Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin garancinë se do të qëndrojnë në krah të Shqipërisë deri në ngritjen e SPAK-ut dhe vendosjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve. Kështu deklaroi e ngarkuara me punë e Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses-One gjatë inaugurimit të shtëpisë së re të drejtësisë. Diplomatja tha se gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë bllokuar pasi ishin të kapura nga korrupsioni.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se qeveria e bëri detyrën me godinën e re, ndërsa tashmë fjalën e ka drejtësia e re.
Godina te ish-Fusha e Aviacionit ku do të vendosen administrata e KLP-së dhe KLGJ-së do të quhet “Poli i Drejtësisë”. Inaugurimi u bë në 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë shumë personalitete. Në fund të ceremonisë u betuan 16 magjistratë të rinj, nga të cilët të pranishmit kërkuan një drejtësi me modelin ri.