Prokuroria Themelore në Shkup ka lëshuar urdhër për hetime ndaj tetë personave që dyshohen se kanë rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror në Shkup, kur më 4 janar “kanë penguar shërbimet në aeroport duke rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror”

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 4 janar kur disa persona të paautorizuar kanë hyrë me forcë në hapësirat e institucionit që drejton fluturimin e aeroplanëve nga Aeroporti ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut ku dhe ka pasur përleshje fizike.

Sipas dyshimeve, këta persona kanë rrezikuar trafikun ajror ndërkombëtar kur në hapësirën ajrore të Maqedonisë po zhvilloheshin 28 fluturime.

“Me veprimet e tyre ata kërcënuan sigurinë e trafikut ajror ndërkombëtar në kohën kur në hapësirën ajrore të vendit po zhvilloheshin 28 fluturime nën kontrollin e M-NAV, ndaj dyshohet se kanë kryer vepër penale të dënueshme me të paktën pesë vjet burg”, thonë nga Prokuroria.

Media maqedonase njoftoi se është arrestuar Bekim Neziri, ish ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut që aktualisht është kryetar dege i BDI-së në Çair. Ai akuzohet ka lejuar të futen brenda në M- NAV persona nga jashtë, të cilët më pas kanë sulmuar fizikisht të punësuarit në orar pune. Në pranga kanë rënë tre persona tjerë të përfshirë në incidentin e 4 janarit, përcjell klan Macedonia

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë drejtori i këtij institucioni shtetëror për kontrollimin e fluturimeve civile, (M-NAV) Fahrudin Hamidi tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit. Hamidi tha se nuk ka komunikuar as dje e as sot me këshilltarin e tij, Bekim Nezirin i cili sulmoi të punësuarit në kullën e radarëve të M-Nav me shtatë persona të tjerë. Ai tha se kreu i sindikatës ka hedhur “benzinë në zjarr” duke bërë presione me grevë dhe bllokim të hapësirës ajrore të vendit, me anulimin e konkursit të fundit për punësim, i cili u bë ogurzi për të shpërthyer grushtet në M-Nav.

Artikulli paraprakARBEN AHMETAJ HUMB SOT MANDATIN E DEPUTETIT, KUSH MUND TA ZËVENDËSOJË?
Artikulli tjetërAVIONIT ME PASAGJERË I SHKËPUTET DRITARJA GJATË FLUTURIMIT NË AJËR, BËN ULJE EMERGJENTE! MOMENTET E FRIKSHME