Më shumë se 250 vetë janë plagosur në një festival muzikor në Spanjë, në qytetin verilindor të Vigo. BBC raporton se u rrëzua një pjesë e drunjtë e platformës ku qëndronin pushuesit.
Pesë prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa policia konfirmoi se fatmirësisht nuk ka asnjë viktimë. Disa prej personave ranë në det, një pjesë e madhe e të cilëve ishin adoleshentë.
Ekipet e emergjencës shkuan menjëherë në vendngjarje. Për të ndihmuar shkuan edhe zhytësit, të cilët kontrolluan në det se nuk kishte asnjë person të bllokuar nën strukturë.
Kryebashkiaku i qytetit, Abel Caballero pohoi se do të nisë një hetim mbi shkaqet e këtij incidenti. Nuk është e qartë nëse struktura u rrëzua për shkak se kishte shumë njerëz mbi të apo për shkak të cilësisë së dobët.