Mitingu i Partisë Socialiste për prezantimin e kandidateve në Lezhë është shoqëruar me një incident, ku disa protestues, të cilët po mbanin një banderolë kundër ndotjes nga një fabrike mbetjesh me origjinë shtazore në lagjen “Skëndërbeg”, janë përplasur me punonjës të Policisë Bashkiake.

Në mbështetje të protestuesve të ndaluar nga policia, shkuan dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në Lezhë.

Në lidhje me këtë çështje reagoi edhe Partia Socialiste e Lezhës, duke akuzuar opoziten për manipulim të opinionit publik dhe përpjekje për të krijuar tensione politike. Sipas PS-së, protesta ishte një tentativë për të prishur mitingun elektoral dhe një skenar i parapërgatitur për të prodhuar një lajm politik. Partia Socialiste deklaroi se nuk do të tolerojë ndërhyrje të paligjshme në aktivitetet e saj dhe ftoi aktorët politikë të ruajnë qetësinë dhe të mos provokojnë incidente të panevojshme.

Ndërsa në njoftimin zyrtar të policisë bëhet me dije se ka nisur procedimi penal për veprën “Goditja për shkak të detyrës”, për shtetasin A. Gj., 49 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka kallëzuar shtetasi L. P., 47 vjeç, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Lezhë, se dje, ndërkohë që ishte me shërbim gjatë një takimi elektoral, 49-vjeçari e ka goditur me grusht në fytyrë.

Artikulli paraprakARTIZANIA QË PUNON ME GREP
Artikulli tjetërSHQIPËRIA U-17 TRIUMFON NDAJ AZERBAJXHANIT