Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është duke përgatitur propozimin për të ndëshkuar deputetët e Partisë Demokratike, të cilët bllokuan punimet e parlamentit të enjten.

Burime nga PS konfirmuan se propozimi për ndëshkim do të përfshijë deputetët Elda Hoti, Petrit Doda dhe Albana Vokshi.

Në seancën plenare të një dite më parë, Hoti u akuzua nga socialistët se derdhi benzinë në sallën e Kuvendit.

“Po marr ankesa për një erë të rendë që dyshohet si era benzinë, punonjësit ekspertë ta verifikojnë. Kthehemi në seancë për 10 minuta”, u shpreh kryeparlamentarja Elisa Spiropali. Ndërsa vetë Hoti tha se ajo që derdhi në sallën e Kuvendit ishte aromatizues.

“Nuk ishte asgjë që mund t’ju rrezikojë jetën, ishte aromatizues, le ta vlerësojë Prokuroria, SPAK se bëri kërcënim ndaj meje dhe kolegëve, kemi një mision dhe misionin tonë për të mbrojtur qytetarët”, u shpreh Hoti.

Ndërkohë, një tjetër incident ishte kur Albana Vokshi, Elda Hoti dhe Petrit Doda bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kreun e KLSH, Arben Shehu të lexojë raportin.

“E di që je në siklet, po nuk mund të flasësh”, i thanë opozitarët Shehut dhe pas kësaj situate, ai u largua nga salla me urdhër të kryetares Elisa Spiropali, e cila tha se ai do të vijojë leximin në komision.

Artikulli paraprakU KAP NË FLAGRANCË DUKE VJEDHUR NË NJË BANESË, ARRESTOHET 24-VJEÇARI
Artikulli tjetërPRETENDIMI I PD, MINISTRI I BRENDSHËM: POLICËT NUK KISHIN ARMË, ISHIN ATJE PËR TË ZBATUAR DETYRËN! SULMET E OPOZITËS TË PAPRANUESHME