Incidentet në stadiume, Policia: “Listë të zezë” për tifozët
Duke u nisur nga incidentet e dhunshme që ndodhin në stadiume, Policia e Shtetit kërkon vendosjen e “listave të zeza” për tifozët e dhunshëm. Deklarata bëhet nga Gjovalin Loka, drejtor i Rendit Publik, sipas të cilit këto lista duhet të rifreskohen, ndërsa bëhet fjalë për një grup të vogël tifozësh që kanë prirje për akte dhune në stadium. “Listat e zeza nuk shkruhen sot dhe mbeten përgjithmonë, por ka tifozë që bëjnë akte si ato të djeshmet, ndaj duhet të rifreskohen dhe duhet t’i vihen në dispozicion policisë. Janë komisionet e disiplinës ato që vendosin për mbajtjen e tifozëve jashtë stadiumit, jo Policia e Shtetit”, ka thënë Loka për Top Channel. Një ditë më parë (30 tetor) në Stadiumin “Elbasan Arena”, pati përleshje të ashpra midis tifozëve të Partizanit dhe uniformave blu. Si pasojë e incidentit kanë mbetur të lënduar disa tifozë, mes tyre një djalë dhe një vajzë për të cilët është kërkuar ndihma e shpejtë. Në stadiumin e Elbasanit po luhej ndeshja e Superligës midis Skënderbeut dhe Partizanit.