Vjen ndëshkimi i parë për Kosovën nga SHBA pas trazirave prej tri ditësh në Veri të Kosovës. SHBA ka anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023. Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ndërkohë pak ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha Hovenier.

Ndërkaq në lidhje me tensionet në Veri, SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.
Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim, shkruan REL.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Artikulli paraprakSHBA ANULON PJESËMARRJEN E KOSOVËS NË “DEFENDER EUROPE 2023”
Artikulli tjetërTRUMP ZBULON PREMTIMIN E RADHËS PËR ZGJEDHJET E 2024-ËS