Tirana renditet në vendin e 211 nga 327 qytete të marra në studim sa i përket krimit, sipas indeksit të krimit të Numbeo, një nga bazat më të mëdha të të dhënave në botë, i cili ka bërë klasifikimin për 2018. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e rrezikut të krimit (tashmë e shënuar me ngjyrë të verdhë). Numbeo e klasifikon Shqipërinë si një vend të ekspozuar ndaj krimit me Index 39.47, ndërsa Indeksi i Sigurisë llogaritet në 60.53. Tirana, sipas përllogaritjeve konsiderohet me nivele krimi të ulëta.
Sipas renditjes së Numbeo-s, vendi ynë paraqet një situatë më pak shqetësuese të krimit këtë vit, në krahasim me shtetet fqinje. Duket se situata nuk është shumë favorizuese në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë ku indeksi përllogaritet 46.75, në Shkup, Maqedoni është 45.65, ndërsa në Serbi indeksi i krimit është më i ulët se tek ne, përkatësisht 36.95. Në vendin e parë për shkallën e lartë të krimit renditet Hondurasi, duke lënë në vend të dytë Venezuelën, e cila ka qenë kryesuese për shumë vite.
Në Honduras, indeksi i krimit përllogaritet 85.18, ndërsa ai i sigurisë veçse 14.82. Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara arabe është vendi me indeksin më të ulët të krimit, me 13.63. Në kontinentin e Europës, Shqipëria renditet si vendi i 54 për nga kriminaliteti, ndërsa vendin e parë e mban Marseja, Franca, me indeksin 64.35. Më e “paqta” në Europë duket se është Zvicra, me indeksin e krimit 16.01, ndërsa atë të paqes 83.99. Indeksi i Krimit, sipas Numbeos, është një vlerësim i nivelit të përgjithshëm të krimit në një qytet apo një shtet të caktuar.
Numbeo si parametër, konsideron nivelin e krimit më të ulët se 20 si :shumë të ulët”, nivelet e krimit në mes të 20 dhe 40 si “ të ulëta”, niveli i krimit midis 40 dhe 60 si “i moderuar”, nivelet e krimit në mes 60 dhe 80 si “të larta” dhe në fund, niveli i krimit më i lartë se 80 si “i lartë”. Indeksi i sigurisë është, nga ana tjetër, krejt e kundërta e indeksit të krimit. Nëse qyteti ka një indeks të lartë të sigurisë, ai konsiderohet shumë i sigurt.