Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të jetë së shpejti në Tiranë për t’u takuar me drejtuesit e FSHF-së dhe anëtarët e komunitetit të futbollit shqiptar.
Përmes një letre drejtuar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, numri 1 i qeverisë së futbollit botëror shkruan se mezi pret të vizitojë Shqipërinë.
Në vizitën e Presidentit Infantino pritet të inaugurohet “Shtëpia e Futbollit”, një investim i madh i FIFA-s si dhe të zhvillohen festimet për 90 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në qeverinë e futbollit botëror.
Më poshtë, teksti i plotë i letrës së Presidentit Infantino dërguar Presidentit Duka:
I dashur President,
Jam shumë i kënaqur që pata rastin t’ju takoj javën e kaluar në Vjenë për Kongresin e 46-të të Zakonshëm të UEFA-s. Siç edhe e diskutuam, do të jetë një kënaqësi e madhe për mua të vizitoj vendin tuaj në muajt në vijim, për t’u takuar me anëtarët e komunitetit shqiptar të futbollit dhe zyrtarët e qeverisë si edhe për të ndarë vizionin tonë për futbollin dhe mënyrat për të zhvilluar më tej lojën tonë dhe promovimin e vlerave të saj në Shqipëri dhe në rajon.
Zyrat tona do të kontaktojnë për të gjetur datën dhe orën e duhur për vizitën. Ndërkohë, ju uroj sa më shumë suksese për organizimin e finales së UEFA Conference League 2022 në Tiranë dhe pres me padurim, i nderuar President, t’ju shoh përsëri shumë shpejt. Juaji sinqerisht, Gianni Infantino!