1170 KANDIDATË I NËNSHTROHEN PROVIMIT TË VLERËSIMIT TË AFTËSIMIT PROFESIONAL. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka përcaktuar afatet kohore, në të cilat do të zhvillohet sezoni i provimit të Vlerësimit të Aftësimit Profesional.
Sipas njoftimit, të gjithë praktikantët në profilet: infermieri, mami, fizioterapi, teknikë laboratori, teknikë imazherie dhe logopedi do t’i nënshtrohen këtij provimi nga data 13-18 prill 2015. Ndërkohë që, për të fituar të drejtën për t’u futur në këtë sezon është i nevojshëm regjistrimi. Për këtë arsye, të gjithë kandidatët që kanë mbaruar praktikën profesionale, duhet të dorëzojnë Librezat e Praktikës dhe kërkesën për pjesëmarrje në Vlerësimin e Aftësimit Profesional nga data 20 mars 2015-1 prill 2015. Sipas UISH, këto dokumente do të dorëzohen pranë zyrave ku është bërë regjistrimi për të ndjekur këtë praktikë. Ndërkaq, në të njëjtat data (20 mars-1prill), do të bëhet dhe konfirmimi i pjesëmarrjes në Provimin e Shtetit, për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në sezonin e majit. Të interesuarit duhet të dorëzojnë kërkesën me shkrim për pjesëmarrje në këtë provim, fotokopje të kartës së identitetit si dhe fotokopje të kartës së praktikantit. Sipas njoftimit të Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, listat emërore të ndara sipas ditëve do të shpallen pasi të ketë përfunduar dorëzimi i plotë i librezave.