Informaliteti tek shtëpitë me qira si dhe fakti që ende nuk tatohen ka shtuar një rrezik serioz në tregun shqiptar. Hotelet të tëra me investime në miliona euro të ndërtuara për të ofruar një shërbim sa më cilësor për një turizëm afatgjatë dhe të qëndrueshëm, të paktën në dy vitet e fundit po përballen me një situatë aspak normale. Informaliteti që buron nga banesat me qira afatshkurtër në platformën Airbnb po bën që kordoni i fitimeve për të mbijetuar në treg për hotelet me 3,4 apo 5 yje në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë të ngushtohet tepër. Kjo pasi institucionet përkatëse nuk po marrin asnjë masë lidhur me këtë situatë.
Edhe pse ka një shtim të fluksit të turistëve, hotelet në vend që të kenë një numër më të madh rezervimesh, në fakt shumë prej tyre po diskutojnë mbijetesën pikërisht për shkak të informalitetit që kanë shkatuar shtëpitë me qira në Airbnb. Shtete në Europë si Franca, Spanja, Greqia apo Italia kanë ndërmarrë masa konkrete për të formalizuar tregun e shtëpive me qira në mënyrë që banorët vendas të mos ndjehen të rrezikuar e po ashtu edhe strukturat serioze hoteliere që kanë bërë shpenzime marramendëse dhe po ashtu kanë detyrime të mëdha ditore apo edhe vjetore.
Gjithashtu edhe Komisioni Europian po mendon vendosjen e disa barrierave për funksionimin e qirave afatshkurtra të pasurive të paluajtshme me qëllimin e qartë për t’i kufizuar ato në favor të formalizimit të plotë por edhe një konkurueshmërie të ndershme në treg. Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Edhe pse ekspertët prej kohësh kanë ngritur alarmin bashkë me shumë pronarë hotelesh, sërish deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete për të sjellë një lloj barazie sa i përket detyrimeve që paguajnë hotelet përballë informalitetit të plotë tek shtëpitë me qira në Airbnb apo platforma të tjera. Është emergjente që institucionet dhe qeveria të shqyrtojnë këtë problem serioz që po vë në rrezik hotelet dhe të ndërmarrë masa ligjore shtërnguese përmes hapave ligjor lidhur me banesat me qira në Airbnb.