Studentët e degës së gazetarisë në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë zhvilluar një leksion të hapur me praninë e tre emrave të njohur të medias shqiptare, Elja Zotka, Alma Demiraj dhe Ornela Joti. Temë e këtij diskutimi u bënë “Rëndësia e Informimit profesional mediatik gjatë krizave natyrore dhe shëndetësore”. Tri gazetaret e njohura sollën eksperiencën e tyre rreth kësaj teme delikate duke biseduar me studentët që në të ardhmen mund të jenë pjesë e mediave.
Pedagogia e gazetarisë Valbona Karakaçi thotë se këto takime janë të rëndësishme pasi ndihmojnë studentët në formimin e tyre profesional. Pedagogia Karakaçi tregon edhe sfidat e studentëve të gazetarisë në të ardhmen.
Studentët e gazetarisë të universitetit të Shkodrës, një prej degëve e cila çdo vit prodhon gazetarë ose specialistë në fushën e komunikimit morën përgjigje nga tri gazetaret e mirënjohura për shumë prej dyshimeve që kanë për të ardhmen e tyre si pjesë e mediave shqiptare. Ky takim u mundësua nga departamenti i letërsisë dhe gazetarisë në universitetin e Shkodrës.