Informonte grupin kriminal, ndryshon akuza për ish-agjentin e SHISH
Florian Bushi ish-agjenti i SHISH i akuzuar dhe hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se kishte shitur informacione sekrete nuk do përballet me akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda. “TV Klan” ka mësuar se Prokuroria nuk arriti të provojë akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë për 35-vjeçarin, por atë të nxjerrjes së sekretit. Për këtë arsye dosja u transferua në Prokurorinë e Fierit ku të bashkëpandehur me Bushin janë Ilir Memushaj dhe Ermal Binjaku. Ky i fundit vazhdon të jetë në kërkim pasi ende nuk është arrestuar. Sipas hetimeve, këta persona përgatitën atentatin ndaj Klement Kastratit 8 janarin e vitit 2016 në Mbrostar të Fierit, ku ai mbeti i plagosur. Ndërsa humbi jetën miku i Kastratit, Granit Kasa. Shkak i krimit ishte një hakmarrje mes Klement Kastratit dhe Ermal Binjakut. Ky i fundit ishte vënë në dijeni se ndaj tij po përgatitej një atentat dhe për këtë arsye ai organizoi përpara eleminimin e kundërshtarit të tij. Kështu me ndihmën e Ilir Memushajt dhe informacionin e marrë nga ish-agjenti i SHISH, u organizua atentati ku objektiv ishte Klement Kastrati. Mësohet se ne gjykatën e Fierit ka filluar procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj dosje, ku mbi Ilir Memushajn dhe Ermal Binjakun rendon akuza e vrasjes. Ndërsa për Florian Bushin akuza e nxjerrjes së sekretin.