Lulzim Basha kërcënoi anëtarët e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke filluar nga n/kryetari Denar Biba, pasi KQZ-ja injoroi dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Basha tha se do të përgjigjen para drejtësisë dhe se i pret burgu, ndërsa e cilësoi edhe njëherë nul dhe farsë 30 Qershorin.
“Farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor.
Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”- u shpreh Basha në Përmet.
Kreu i opozitës tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, sipas tij refuzimit të Edi Ramës nga 85 përqind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim.
Sot miratua tabela përfundimtare e rezultateve të 30 Qershorit, ndërsa Denar Biba tha se më 30 qershor shqiptarët vendosën mes pazareve dhe kushtetutës.