Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një vizitë pune në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në kuadër të bashkëpunimit të institucionit me fakultetet e drejtësisë të Universiteteve Publike të vendit.
Në mjediset e Rektoratit, z. Metani u mikprit dhe zhvilloi një takim informues me Rektoren e Universitetit të Shkodrës, znj. Rajmonda Këçira, Dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, z. Gaspër Kokaj dhe Zv. Dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, znj. Irma Baraku. Biseda u pasua nga nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Artur Metani dhe Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë z. Gasper Kokaj.
Memorandumi parashikon mes të tjerash mundësinë̈ e realizimit të praktikës për studentët e Departamentit të së Drejtës, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, krahas organizimit të aktiviteteve të përbashkëta me fokus edukimin ligjor e profesional në fushën e drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani vërejti se Zyra e ILD-së ka gjithë vëmendjen për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen profesionale për brezin e ri të profesionistëve të drejtësisë, si një kontribut konkret për demokratizimin e shoqërisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
“Unë mendoj thellësisht që reforma në drejtësi nuk mund të ketë sukses nëqoftëse nuk është kontributi i të gjithë shoqërisë dhe të gjithë aktorëve që marrin pjesë në drejtimin shoqëror, ekonomik, social, por edhe të drejtësisë në Shqipëri, siç është edhe Fakulteti i Drejtësisë së Shkodrës, pjesë e profesionistëve të ardhshëm të sistemit në Shqipëri. Kështu që e kemi menduar me shumë dëshirë këtë iniciativë dhe shpresoj shumë që ta realizojmë sa më shpejt, edhe me kontributet për intership-et e studentëve, por edhe nëpërmjet kontributeve që trupa mësimdhënëse e Fakultetit të Drejtësisë së Shkodrës, mund t’i japë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”, tha z. Metani.
Dekani Gaspër Kokaj shprehu vlerësimin për zyrtarizimin e bashkëpunimit me ILD-në. “Më vjen mirë që një Institucion kaq i rëndësishëm në shtetin shqiptar, mbi të gjitha në pjesën e drejtësisë në kuadër të reformës, merr iniciativën dhe na fton për të bërë një marrëveshje të tillë, sepse zakonisht ne Universitetet e rretheve jemi të ftohtë dhe më pak të vëmendshëm, për këtë arsye merr më shumë vlerë kjo marrëveshje shumë e mirëpritur prej nesh.”
Më pas z. Metani zhvilloi një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Drejtësisë mbi rolin e ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të Drejtësisë, duke iu përgjigjur interesit të auditorit mbi aspekte të punës, të hetimit e procedimit disiplinor, mbi etikën e magjistratëve, por edhe mënyrën sesi të rinjtë e shohin sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e tij.