Ky vit ka qenë mjaft i zënë për turizmin, teksa Shqipëria ka pushtuar faqet e shumë mediave të huaja që reklamonin bukuritë e saj dhe shumë turistë erdhën për të parë vendin e shqiponjave.

INSTAT ka publikuar të dhënat e hyrje-daljeve për 9-mujorin, sipas të cilave rezulton se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë për periudhën janar-shtator ishte rreth 4.2 milionë persona, me një rritje prej 5.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e ulët ka ardhur si rrjedhojë e braktisjes masive të Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, që tradicionalisht kanë qenë pushuesit kryesorë të vendit. Rezulton se numri i tyre për 9 mujorin ka rënë me 22%, ose 426 mijë pushues më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Abuzimi me çmimet, ndalimi i autobusëve nga Kosova që të kalojnë në rrugën e plazhit në Durrës dhe pakënaqësitë e tjera të shfaqura në vite për cilësinë e shërbimit, duket se kanë kulmuar këtë vit, me këtë largim masiv të tyre nga Shqipëria.

Pavarësisht rënies, turistët nga Kosova vijojnë të zënë peshën kryesore, me 36% të hyrjeve për 9 mujorin, dukshëm më ulët se pesha prej 48% që ata zinin në 2016-n. Në total 1.5 milionë shtetas nga Kosova hynë në Shqipëri për periudhën janar-shtator. Largimi i tyre është amortizuar nga rritja e pushuesve nga shtetet e tjera, ku vendin e dytë pas Kosovës për numër hyrjesh në kufi e zë Maqedonia me 510 mijë pushues, dhe rritje prej 12%. Ata zunë 12% të totalit të hyrjeve të të huajve. Më pas renditen shtetasit nga Greqia, me 351 shtetas që kanë hyrë, me rritje 15%, duke përbërë 8% të totalit. I dukshëm ka qenë numri i italianëve që kanë vizituar Shqipërinë, të nxitur nga mediat e vendit fqinjë, që nuk ngurruan të krahasojnë Shqipërinë me Karaibet. Për 9 mujorin hynë 294 mijë shtetas italinë, me një rritje prej 47% me bazë vjetore. Në vlerë absolute shtetasin italianë kanë shënuar dhe rritjen më të madhe për 9 mujorin, me 94 mijë. Pesha e tyre ndaj totalit u rrit nga 5% për 9 mujorin 2016 në 7% për janar-shtator të këtij viti. Rritje të ndjeshme shënuan dhe gjermanët, që arritën në 101 mijë, me një zgjerim prej 50.5%.

Artikulli paraprakGREQI, MEDIAT PUBLIKE DHE PRIVATE NË GREVË 48-ORËSHE
Artikulli tjetërLUFTA KUNDËR DROGËS, LLALLA: INSTITUCIONET NUK KANË PËRMBUSHUR DETYRIMET