Integrimi, Bushati pret ministrin gjerman. Roth: Vetting-u, proces kyç Gjermania mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Këtë e ka rikonfirmuar këtë të hënë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili priti në një takim ministrin gjerman të Shtetit, Michael Roth. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Bushati ka theksuar se, qeveria shqiptare po vepron e sinkronizuar me Berlinin në rrugën e reformave që i hapin dyert e BE-së. “Siç dihet, Gjermania ka një rol të posaçëm sa i përket procesit të integrimit dhe ne në këto 3 vjet jemi përpjekur për të koordinuar aksionin tonë dhe reformat që ndërmarrim me qeverinë gjermane”, ka thënë Bushati. Ai ka garantuar kolegun gjerman se, “Shqipëria do zbatojë ligjin e Vetting-ut dhe do të vijojë kursin reformist sa i përket 5 prioriteteve kyçe, që kanë lidhje direkte me zhvillimet e brendshme të Shqipërisë”. “Dera e integrimit për Shqipërinë mbetet e hapur, duhet të kalojmë vetting-un, që është një reformë që do ketë efekt spirale edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por edhe në reformat e tjera”, ka vijuar Bushati. Nga ana e tij, ministri gjerman ka shprehur vlerësimin e tij për sukseset e Shqipërisë në rrugën e integrimit. “Reforma në drejtësi është një ngjarje thelbësore dhe ligji i Vetting-ut është një sukses jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet evropiane”, ka thënë Roth. Sipas tij, “reformat e mëdha që janë ndërmarrë këto vite janë të qarta dhe po ecin në drejtimin e duhur”. “Këto suksese dhe progrese që ka bërë Shqipëria i shërbejnë qytetarëve të saj dhe nuk janë ndërmarrë për të kënaqur dikë që mund të jetë ulur në Berlin apo në Bruksel. Shpresoj që zhvillimi dhe konsolidimi i demokracisë, i luftës kundër korrupsionit dhe krimit, forcimi i shtetit ligjor të jenë në interes të të gjitha forcave politike”, ka thënë Roth. Duke theksuar se, reformat e ndërmarra e sjellin Shqipërinë më afër BE-së, zyrtari gjerman ka shtuar se, procesi i zgjerimit të Unionit mbetet i hapur. “Me gjithë krizat dhe problemet, procesi i zgjerimit të BE është ndër pikat kryesore të rendit të ditës në Bruksel dhe Berlin. Uroj që bisedimet të hapen sa më shpejt”, ka shtuar Roth.

Artikulli paraprakTËRMETE TË SHUMTA GJATË 2 JAVËVE NË JUG TË VENDIT
Artikulli tjetërANTITRAFIKIMI, SHQIPËRIA, MALI I ZI DHE KOSOVA ME DEKLARATË TË PËRBASHKËT