Integrimi, kusht edhe kanabisi. Vlahutin, “dilema” për zhdukjen e MI
Muajt në vijim do të jenë kyç për çeljen e negociatave. Romana Vlahutin ishte e qartë, kur përmendi edhe një herë 5 prioritetet bazë për vendin tonë, por theksin këtë herë e vuri te dy prej tyre. “Është e qartë për të gjithë çfarë lipset që të ndodhë sa i takon 5 prioriteteve kyçe, por në veçanti lidhur me të gjithë aspektet e ligjit dhe me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë. Por Vlahutin foli edhe për Reformën në Drejtësi dhe mënyrën sesi ajo do të funksionojë në ditët në vijim. “Shqipëria po përjeton një moment shumë të mirë. Reforma në Drejtësi, e cila është edhe reforma më impenjative e komplekse, është gati për t’u zbatuar me procesin e ‘vettingut’, i cili do të nisë në më pak se dy javë. Krijimi i institucioneve të reja, si Prokuroria e Posaçme sa i takon korrupsionit apo krimit të organizuar, do të nisë me shpresë nga fundi i vitit”, tha më tej Romana Vlahutin. Por ambasadorja e BE-së foli edhe për paqartësi në këtë periudhë tranzicioni institucional. “BE-ja ‘mezi po pret’ Kuvendin e ri të Shqipërisë dhe që qeveria e re të nisë punën, pasi ‘ka ende disa paqartësi lidhur me ndryshimet që do të kemi sa i takon mekanizmave të bashkërendimit të BE-së. Ndaj unë do të kem disa takime në ditët në vijim, në mënyrë që të kemi mundësinë të kuptojmë plotësisht dhe të biem dakord sesi do të funksionojë, organizohet dhe bashkërendohet axhenda europiane”, u shpreh Romana Vlahutin. Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit foli për bashkëpunim me opozitën, në të mirë të integrimit të Shqipërisë në BE. “Ne do të bëjmë gjithçka mundemi, si mazhorancë, për të garantuar që fryma shumë e mirë e komunikimit që ka mbizotëruar në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe Komisionin e Integrimit të jetë një model i ri i punës parlamentare, për t’i dhënë fund një fotografie jo shumë parlamentare të ditës së enjte në Parlament. PS-ja që unë përfaqësoj është e gatshme të bashkëqeverisë me të gjithë njerëzit, sigurisht edhe me opozitat parlamentare, në objektivin e përbashkët për integrimin europian”, tha Taulant Balla, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit. Deklaratat u bënë në ditën e parë të Shkollës verore të Integrimit, financuar nga BE-ja.