KLUBI ANGLEZ ËSHTË I GATSHËM TË BLEJË KARTONIN E LOJARIT PËR 17 MILIONË EURO. Historia mes Interit dhe Xherdan Shaqirit, e nisur me aq entuziazëm në janarin e kaluar, mund të ketë mbërritur në ditët e saj të fundit. Për futbollistin e lindur në Gjilan ka mbërritur një ofertë nga Stoke City.
Klubi anglez kërkon blerjen përfundimtare të kartonit të Shaqirit dhe ka shfaqur gatishmërinë për t’i vënë në pjatë Interit 17 milionë euro, plus bonuset. Një shifër e rëndësishme që Interi po e merr seriozisht në konsideratë, edhe pse Shaqiri shpesh është etiketuar si një ndër lojtarët ku mbështetet projekti i së ardhmes. Pengesa më e rëndësishme për realizimin e këtij transferimi, siç bëjnë të ditur mediat italiane, është vetë Shaqiri që duket se nuk e preferon destinacionin anglez. Gjithmonë duke iu referuar mediave italiane, disa agjentë të Interit do të takohen me Xherdan Shaqirin apo personat pranë tij për ta bindur për këtë transferim. Ofertat nga Anglia në fakt nuk janë të reja për Shaqirin, pasi për të ka shfaqur interes të fortë edhe Evertoni, por futbollisti deri më tani e ka snobuar Premier League, duke preferuar Serinë A dhe futbollin italian.