Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka arrestuar në Rinas një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike” i dënuar nga drejtësia italiane me 12 vjet burg.
Shërbimet e Komisariati të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas verifikimeve të imtësishme të bërë në sistem të të dhënave të 40-vjeçarit, i cili kishte ndërruar gjeneralietet me qëllim shmangien e dënimit në Itali, kanë bërë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi në Itali të shtetasit shqiptar Nikel Vukasni 40 vjeç, lindur në Shkodër.
Shtetasi në fjalë për ti’u shmangur drejtësisë kishte ndërruar gjeneralitetet nga Nikel në Domi Vuksani pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në vitin 2014, sepse Gjykata e Firences në Itali e ka dënuar me 12 vjet burg për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”.