Znj.Tabaku, a i jep zgjidhje programi i Partisë Demokratike krizës ekonomike në vend? Konkretisht si do të nxitet ekonomia drejt rimëkëmbjes?
Çfarë nisi të prezantohet pak ditë më parë nuk është program i PD-së, por një plan-qeverisje i Partisë Demokratike dhe opozitës në ditët e saj të qeverisjes. Gjithçka është e detajuar dhe e strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e qartë për qytetarët dhe jo vetëm. Qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar dhe të frikësuar nga një sistem i korruptuar, i pandershëm dhe diskriminues që sot po i zhyt përditë e më shumë në varfëri. Një sistem që i varfëron dhe ku nuk fiton vetëm se një pakicë, 3% e shqiptarëve. Prandaj ne kemi propozuar një plan për të ndryshuar sistemin dhe për ta shndërruar atë në një sistem të drejtë, të ndershëm, të thjeshtë dhe inkurajues. Nëse sot kemi ligje favorizuese karshi një biznesi apo ministrave, ne do të ndërtojmë një shtet që nuk favorizon një kastë të vogël por i jep mundësi Shqipërisë të fitojë. Nëse sot ka një ekonomi të mbizotëruar nga monopolet, ligjet speciale dhe një Kuvend e qeveri që punon për to; ne do të zhbëjmë monopolet përmes luftës kundër monopolit, do të zbatojmë konkurrencën dhe gjithashtu do t’u kthejmë shqiptarëve qeverinë në shërbim të tyre. Kjo do të nisë përmes paketës së re fiskale që pikërisht ka në themel thjeshtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe inkurajimin. Taksa 9% është hapi i parë drejt një Shqipërie që fiton.
Si do t’i bindë shqiptarët PD-ja që të votojnë Lulzim Bashën kryeministër pavarësisht premtimeve të shumta përmes programit për reformën rregullatore dhe paketën fiskale?
Në qendër të planit tonë të punës është qytetari dhe familja e tij. Ne besojmë që më shumë para në duart e qytetarëve dhe familjeve të tyre është më mirë se më shumë para në duart e qeverisë. Ne besojmë se një familje që gëzon më shumë të ardhura i jep më shumë avantazhe Shqipërisë sesa pak njerëz që kanë të ardhura të larta. Ne besojmë dhe do të luftojmë që të inkurajojmë punën dhe mosdiskriminimin e saj përmes taksave apo tarifave abuzive. Do t’u japim shqiptarëve më shumë të ardhura dhe më shumë mundësi për t’u punësuar. Do të ndëshkojmë këdo që është përpjekur të keqpërdorë taksat dhe tarifat e shqiptarëve përmes politikave diskriminuese dhe avantazhuese në kurriz të tyre.
Ç’do të thotë ‘do t’u përgjysmojmë varfërinë shqiptarëve’? Cilat premtime shihen si më të vështirat për t’u realizuar?
Në planin tonë ekonomik, një taksë e sheshtë dhe politikat e tjera lehtësuese fiskale që vazhdojnë me Kodin Fiskal, lehtësira dhe ulje të numrit të licencave do të krijojnë një mjedis komod biznesi. Ristrukturimi i një qeverie duke e kthyer nga një armike të sipërmarrjes dhe mike të oligarkisë në një qeveri pranë sipërmarrjes do të prodhojë një mjedis më të mirë të të bërit biznes. Ne jemi të bindur që marrja e masave pro-biznes do t’i hapë Shqipërisë shumë mundësi të reja jo vetëm për të rritur numrin e të punësuarve dhe sipërmarrjes brenda vendit, por edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Prandaj, nën një përllogaritje korrekte ne do të shohim një rritje ekonomike me rreth 5.5%, që do të prodhojë një dyfishim të të ardhurave për qytetarët dhe njëkohësisht do të mundësojë një jetesë më të mirë për familjet shqiptare.
Si do të dyfishohen të ardhurat për frymë?
Rritja e mirëqenies së familjes është qëllimi i politikave tona ekonomike. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet rritjes ekonomike, rritjes së buxhetit të familjeve dhe luftës së suksesshme ndaj korrupsionit. Gjithashtu, sipërmarrja e lirë dhe krijimi i një qeverie të vogël dhe të ndershme do të mundësojnë një klimë të favorshme biznesi dhe më shumë të ardhura për individët. Rikthimi i marrëdhënieve me BE-në dhe ingranimi i partnerëve strategjikë në investime serioze do të sjellë një rritje reale mesatare 5,5% me një deflator 2.5%, të mjaftueshme për të siguruar një dyfishim të të ardhurave në 10 vite për çdo shqiptar.
Sa është fatura e përllogaritur në buxhetin e shtetit? Sa kushtojnë 16 premtimet e PD-së?
Heqja e taksimit progresiv dhe vendosja e taksës së sheshtë ku fiton Shqipëria do të sjellë në buxhetin e shtetit një shtesë prej 500 mln eurosh, ndërkohë që heqja e disa llojeve të tjera taksash për t’ia kthyer ato individit dhe familjeve të tyre do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 250 mln euro. Në total efekti neto i këtyre politikave në buxhet do të jetë +250 mln euro. Ndërkohë që programet tona në shërbim të qytetarëve, ku përfshihen buxheti për arsimin parauniversitar dhe të lartë, shëndetësinë, bujqësinë, infrastrukturën, pensionet e kështu me radhë, shkojnë në 450 mln euro. Kjo shifër është e mundshme që të menaxhohet gjithashtu nga buxheti.
Ku do t’i gjeni paratë për realizimin e këtij programi, cilat do të jenë burimet?
Në buxhetin e shtetit çdo vit tenderohen 1,2 miliardë euro, ku shpenzohen 300 mln euro në tenderë dhe prokurime abuzive, që janë një barrë e rëndë për taksat e qytetarëve. Raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare flasin dhe tregojnë se si qeveria shqiptare abuzon me luksin e shfrenuar dhe tenderët abuzivë. Ne do të jemi një qeveri e vogël dhe në shërbim të qytetarëve, një qeveri që menaxhon në mënyrë sa më eficente taksat e shqiptarëve. Pikërisht reduktimi i këtyre kostove të tenderëve abuzivë dhe gjithashtu rishikimi i kontratave koncesionare dhe PPP do të jenë një burim i mjaftueshëm dhe i mirëmenaxhuar për të mbuluar projektet nga të cilat fiton Shqipëria.
Përse rikthim te taksa e sheshtë? Çfarë fiton Shqipëria me këtë taksë?
Taksa e sheshtë e ka provuar veten e saj në Shqipëri. Në vitin 2008, kur ajo u vendos për herë të parë, rriti mbledhjen e të ardhurave nga TAP me 65.5%, akcizat me 13.2% dhe Tatimi mbi Fitimin me 22%. Këto shifra erdhën si pasojë jo vetëm e miradministrimit, por gjithashtu edhe si pasojë e rritjes së formalizimit dhe zgjerimit të bazës së tatueshme. Në një sistem të ndershëm, jo kompleks dhe të drejtë, qytetari është më i prirur të jetë i drejtë me shtetin dhe jo t’i bishtnojë siç bën sot. Kur, qindra mijëra të punësuar në sektorin privat i bishtnojnë qeverisë duke shpikur lloj-lloj marifetesh. Gjithashtu, Shqipëria kthehet në një vend atraktiv dhe shumë të lakmuar edhe për investimet e huaja direkte. Këto 8 vite nuk kemi pasur asnjë IHD të re në vend, të gjitha janë të trashëguara nga 8 vite më parë. Nuk është rastësi e gjitha kjo, pasi Shqipëria është kthyer në një ferr të vërtetë për sipërmarrjet e huaja, dhe këtë e tregon renditja e Shqipërisë në raport me rajonin në “Doing Business”. Prandaj zotimi ynë është që të ndërhyjë në këtë klimë armiqësore, dhe taksa e sheshtë është gjysma e kësaj pune. Ne duam t’u ofrojmë shqiptarëve një Shqipëri në 30 vendet e para të “Doing Business”, pasi një Shqipëri që fiton është ajo që u siguron shqiptarëve një të ardhme më të mirë.
Cilët sektorë do të gjenerojnë 110 mijë vende të reja pune?
Një rritje ekonomike e qëndrueshme në 5.5% për katër vjet do të sjellë hapjen e 50 mijë vendeve të reja të punës në dy vitet e para të qeverisjes dhe gjithashtu 60 mijë vendeve të reja të punës dy vitet e dyta. Dhe të mos harrojmë që punësimin e sjell tregu, e sjell investimi i huaj, e sjell biznesi, dhe për këtë arsye politikat targetojnë rritjen dhe përmirësimin e klimës dhe situatës.
PD-ja premton rritjen e pagës minimale në 36 mijë lekë, rritjen e pensioneve me 5% në vit, uljen e tarifës së karburanteve, bonusin e bebeve 30 mijë lekë në muaj për 5 vite etj., por a është racionale oferta ekonomike e PD-së?
Së pari, PD-ja do të luftojë për rritjen e pagës minimale përmes mbështetjes së biznesit, me uljen e taksave dhe politikave të tjera fiskale. Ne jemi angazhuar që të vendosim një taksë të sheshtë 9% për TAP, tatimfitimin për bizneset e mëdha, dhe gjithashtu edhe për të reduktuar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në 18% mbi pagën. Ndërkohë, ndihma e rritjes së pensioneve me 5% në vit i kushton buxhetit të shtetit asgjë në krahasim me ndihmën dhe kontributin që kjo shtresë ka dhënë për Shqipërinë. Prandaj ne e konsiderojmë si detyrë ndaj vendit tonë dhe dëshmi të përkushtimit për brezat e prindërve dhe gjyshërve tanë këtë politikë pensionesh. Në lidhje me bonusin ndaj bebeve prej 30 mijë lekësh në muaj, mund ta quaj një politikë në ndihmë të rinisë dhe familjeve të reja. Ka qenë e trishtë të dëgjoja nga të rinjtë se ata nuk kanë guximin të martohen apo bëjnë fëmijë si pasojë e situatës së tyre financiare dhe pasigurive që jeta në Shqipëri u rezervon. Prandaj, ndihma e tillë nuk është vetëm një mënyrë për t’u dhënë më shumë mundësi të rinjve, por edhe për të rritur numrin e foshnjave në vend, që këto 8 vitet e fundit ka pësuar rënie drastike sipas shifrave të INSTAT-it.
Kryeministri e ka ironizuar programin ekonomik të PD-së duke e quajtur ‘si një tramvaj’, por nesër në pushtet, a rrezikojnë të shkelen këto angazhime?
Kryeministri bën mirë të mbajë shënim edhe këto ditë të fundit në qeverisje; një dimër i gjatë e pret pas 25 prillit. Plani i qeverisjes është një angazhim i kryeministrit të ardhshëm Lulzim Basha dhe, pa dyshim, edhe i yni që kemi punuar me të për ta shkruar, për të ndërtuar një vend më të mirë dhe më demokratik. Ato çfarë dëgjuat nga z. Basha nuk ishin premtime, por zotime.
Sa e sigurt ndihet PD-ja se më 25 prill do të ndodhë rotacioni politik?
Jam e sigurt që në 25 prill, Shqipëria fiton! E vetmja rrugë që të fitojë, është të largojë me votë një sistem dhe qeveri të korruptuar që kurrë nuk do të shërohet. Në 25 prill, Shqipëria fiton duke zgjedhur alternativën e PD-së.
Nga #gazetashqiptare