Pas afro tre vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, gazeta Nacionalja ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, ku ai flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizas të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë në njohje të ndërsjellë. Në fillim të intervistës zoti Thaçi thotë se “sot jam në izolim fizik, por jo burg mendor” dhe shprehet se ka “energjinë fizike” dhe “freskinë mendore”. Por për çfarë është në veçanti i përmalluar është për familjen në rend të parë, dhe miqt e tij jetësor.

“Mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore”, e quajti ish-Presidenti Thaçi vizitën e tij të parë që nga paraburgimi në Burojë të Skenderajt më 29 maj të këtij viti, kur i ishte aprovuar vizita për shkaqe shëndetësore të së ëmës së tij; ku tregon se “koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time”.

“Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore”, u shpreh zoti Thaçi.

Teksa kujton edhe takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, ai i gëzohet edhe librat që ky i fundit i solli. “Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”. Më pas, ish-Presidenti Thaçi duke komentuar në vija të trasha gjendjen e tanishme në vend, kërkon të hiqet dorë nga marrja për së tepërmi me të kaluarën, dhe “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”.

“Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, na tha ish-Presidenti i vendit.

Çfarë duket se ia ka marrë vëmendjen Presidentit është krizat e njëpasnjëshme në vend, për çka shprehet se “Çdo krizë e vonon shumë Kosovën”.

“Por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar”.

“Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar”.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sheh në retrospektivë për të treguar se Kosova, po, është storie suksesi, por është “storie e përbashkët suksesi” me aleatët e saj jetik perëndimor.

“Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare”.

Këtu, ish Presidenti e kthen kokën kah skeptikët dhe kundërshtarët e bërjes së Kosovës shtet dhe të pavarur, dhe kërkon që të qëndrohet kah aleatët.

Sepse, përkundrazi “Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur”.

“Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”.

Ish-Presidenti thotë se Kosovën që ai e beson është një Kosovë që është në NATO, në BE, “dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në”.

“Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”, tha ish-Presidenti në intervistë me Nacionalen.

Artikulli paraprak“MBAJTI 10 VITE SHQIPËRINË JASHTË BE”, BERISHA: RAMA, KRENAR PËR ASAMBLENË E KRIMIT!
Artikulli tjetërPAS ZJARREVE MASIVE, GREQIA PËRFSHIHET NGA PËRMBYTJET DHE RRËSHQITJET E TOKËS