900 milionë dollar është vlera e investimeve të planifikuara nga Banka Botërore në Shqipëri. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë i Grupit të Bankës Botërore miratoi një kuadër pesë vjeçar Partneriteti për Shqipërinë për periudhën 2023-2027 si dhe katër projekte të reja. Në fokus të investimeve do të jenë disa sfida kyçe midis të cilave më shumë vende pune, aftësi e shtuar ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të tjera,bujqësia ,mjedisi dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.
“Kjo është ditë e shënuar për partneritetin më se 30 vjeçar me Shqipërinë , ne do të vijojmë të punojmë së bashku për institucione më të fuqishme, qeverisje të përmirësuar dhe forcimin e kapitalit njerëzor, si elementë kyçë për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe të barabartë.” tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri
Katër projektet e reja të miratuara së bashku me Strategjinë arrijnë një vlerë prej 355 milion USD. Banka Botërore ka akorduar 100 milionë$ për Projektin e Ndërtimit të Urave të Forta duke synuar rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes. 70 milionë $ janë parashikuar të investohen në Projektin e Bujqësisë Konkurruese dhe me Aftësi Përballuese ndaj Klimës i cili do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së.Banka Botërore ka planifikuar 65 milionë $ edhe për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla. Ndërkohë 120 milionë $ do të investohen në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore.