Flukset neto të Investimeve Direkte janë pakësuar me rreth 21.1% në terma vjetorë. Ndikimi kryesor në këtë drejtim buron nga flukset e sektorit energjetik, ku mbizotërojnë projektet e mëdha. Këto projekte janë tashmë në fazat përfundimtare të ndërtimit dhe pakësimi i flukseve prej tyre është i pritshëm.
Në këtë konkluzion arrin një analizë e publikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Sipas studimit, pakësimi i flukseve të Investimeve Direkte ka ndikuar edhe raportin e këtyre të fundit ndaj deficitit korrent.
Për tremujorin në analizë, flukset neto të investimeve direkte financuan rreth 183.4% të deficitit të regjistruar korrent. Por ky raport ishte 54.9 pikë përqindje më i ulët se në të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Investimet
Çështja e investimeve të huaja ka qenë një “patate e nxehtë” gjatë viteve të fundit, pikërisht për shkak se disa nga investimet shumëvjeçare, si gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi Devoll janë drejt përfundimit dhe nuk duket në horizont ndonjë vepër tjetër me përmasa të tilla.
Këto ditë u mësua edhe për një projekligj, që ende nuk është miratuar në qeveri, por që është hedhur për diskutim me grupet e interesit, i cili ka të bëjë me synimin për të krijuar një institucion të ri, detyra e të cilit është të menaxhojë pronat e shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar.
Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet që të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione.
Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve.
Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata.
Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.
Nisma e qeverisë për të krijuar një korporatë shtetërore investimesh është pritur me skepticizëm nga ekspertët. Pika më e debatueshme e draftit është se, edhe pse do të jetë shtetërore, korporata e investimeve nuk do t’i bindet ligjit të prokurimeve publike, por do të qeveriset si një kompani private.
Llogaritë
Lidhur me pakësimin e investimeve po vërehet edhe një fenomen tjetër, konstaton BSH. Pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 146.4 milionë eurosh në tremujorin e tretë të vitit 2018, duke u zgjeruar me rreth 2.6% në terma vjetorë.
Sipas BSH, ndikimi kryesor në zgjerimin e deficitit korrent ka buruar nga rritja e të ardhurave që dalin nga vendi të lidhura me investimet direkte. Megjithatë, deficiti korrent u vlerësua në nivelin 4.5% ndaj PBB-së nominale, ose 0.4 pikë përqindjeje më i ulët se i njëjti tremujor i një viti më parë.
Kjo, pasi, nga ana tjetër, eksportet e mallrave dhe të shërbimeve shënuan rritje prej rreth 11.6% në terma vjetorë, ndikuar në masë të madhe nga zgjerimi vjetor i eksportit të shërbimeve me 8.4%.
Rritja e eksporteve të kësaj kategorie është përcaktuar në masë të gjerë nga zgjerimi i shërbimeve të udhëtimit (ardhja e turistëve) me rreth 16.2%. Në të njëjtën kohë, një rritje e lartë është konstatuar edhe në rastin e mallrave. Zgjerimi në terma vjetorë shënoi 27.9%.
Gjithsesi, shqiptarët duket se nuk heqin dorë nga udhëtimet jashtë vendit, çka e tregon rritja e importit të shërbimeve me rreth 14.3%. Sikurse në rastin e eksportit, edhe në rastin e importit të shërbimeve, rritja është përcaktuar nga zgjerimi i shpejtë i shërbimeve dalëse të udhëtimit (rritja vjetore shënoi 19.4%). Paralelisht, rritja e importit të mallrave shënoi vlerën 4%.
Bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi me një shtim të mjeteve të rezervës me rreth 154.8 milionë euro. Stoku i rezervës valutore është në gjendje të mbulojë 6.5 muaj import mallrash dhe shërbimesh, ose 160% të borxhit të jashtëm afatshkurtër bruto, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018.
Në fund të muajit shtator 2018, stoku i rezervës valutore ishte rreth 3.1 miliardë euro. Ndërkohë, rritja vjetore e remitancave (prurjeve valutore të emigrantëve) neto shënoi vetëm 2.6%, një shifër tejet minimale.