Këshilli i Ministrave ka miratuar sot disa ndryshime në vendimin për ngritjen e Task Forcës për evidentimin e pasurive të paluajtshme shtetërore gjatë bregdetit me qëllimin investimin në turizëm.
Në pikën e parë të ndryshuar që është miratuar sot theksohet se Task-Forca monitoron, mbikëqyr dhe ndjek në kohë reale të gjitha ndryshimet, përditësimet, regjistrimet si dhe çdo veprim tjetër të kryer nga organet shtetërore në lidhje më pasuritë e paluajtshme shtetërore, të cilat ndodhen brenda fashës 1.5 km nga vija bregdetare.
Në pikë dy evidentohet se institucionet duhet të vënë në dijeni Task-Forcën në lidhje me të gjitha zhvillimet dhe ndryshimet që do të ndodhin në statusin juridik të pasurive të paluajtshme shtetërore përgjatë vijës bregdetare.
Gjithashtu është shtyrë edhe me 5 muaj evidentimi i pasurive. Task-Forca ishte parashikuar që të funksiononte dhe realizonte detyrat e përcaktuara deri në datën 31 korrik 2019, ndërkohë që është shtyrë deri në datën 31 dhjetor 2019.