Punimet për rikonstruktimin total të zonës muzeale të qytetit, edhe pse me vonesë tashmë janë përmbyllur.

Rikualifikimi i infrastrukturës mbi dhe nëntokësore, rikonstruksioni i plotë i sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në 13 rrugica të qytetit si dhe shtrimi i tyre me pllaka guri i kushtoi bashkisë 18 290 000 lekë si dhe 8 muaj kohë. Për qytetarët e zonës muzeale të Gjuhadolit, investimi i kryer i ka dhënë pamje të re lagjes në brendësi duke zgjidhur përfundimisht edhe problemin e gropave me ujë që krijoheshin gjatë dimrit.

Ndërkaq, të tjerë banorë, pasi pranojnë rëndësinë e këtij investimi për zonën muzeale të qytetit, shprehen të pakënaqur për menaxhimin e mbetjeve dhe mungesën e ndërhyrjeve në ndërtesat që janë në prag shembjeje.Ky investim i nisur në mesin e muajit tetor të vitit që kaloi ka përfshirë 13 rrugica në zonën muzeale.

Përveç rrugës “Franc Baron Nopça” në të cilën më parë infrastruktura ka qenë tejet e amortizuar, nga investimi dhe rikualifikimi total kanë përfituar edhe rrugët “Ndoc Çoba”, 5 degëzime përgjatë pedonales “Kolë Idromeno”, Rruga “Gurazez”, Rruga “Gurakuqët”, Rruga e Murgeshave, Rruga “Bërdicej” dhe 2 degezime të tjera përgjatë pedonales “Gjuhadol”.

Artikulli paraprakMESHË DHE PROÇESION PËR “TË PREMTEN E KORPIT TË KRISHTIT”
Artikulli tjetërNISIN NDESHJET E KOMBËTAREVE RAJONALE