Gjatë vitit 2021, numri i ndërmarrjeve të huaja të përbashkëta shënoi nivelin më të lartë të regjistruar në vendin tonë. Në krahasim me 2020, ishte rritje prej 10% pasi kishte 6,635 ndërmarrje me kapital të huaj dhe të përbashkët.
600 ndërmarrje të reja me kapital të huaj ose të përbashkët u hapën në vitin 2021, nga rreth 15 mijë që ishin gjithsej. Por sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit të shkuar janë larguar (neto) 44 kompani, që kishin më shumë se 50 punonjës dhe 97 të tjera që kishin nga 10 deri në 49 punonjës.
Të larguarit janë kryesisht në fushën e industrisë, si aktiviteti i vetëm me rënie të numrit të bizneseve të huaj në vitin 2021 ndërsa janë shtuar 648 subjekte të vogla, që kanë nga 1-4 punonjës dhe 93 biznese me 5 deri në 9 punonjës.
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 5,6% të ndërmarrjeve gjithsej, krahasuar me 5,1% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2020, dhe punësojnë 12,7% të të punësuarve gjithsej, thonë të dhënat e INSTAT.
Ndërsa ndërmarrjet nga vendet e BE përfaqësojnë 57,6% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pjesa më e madhe e pronarëve ose bashkëpronarëve janë me origjinë italiane dhe greke që përfaqësojnë 45,5% të ndërmarrjeve të huaja e përbashkëta që janë të përqendruara kryesisht në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.