Investimet e huaja direkte, vazhdimisht nga zyrtarë qeveritar dhe ekspertë për çështje ekonomike, janë vlerësuar si të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Për këtë arsye, kërkesat e asociacioneve ekonomike dhe ekspertëve të kësaj fushe, kanë qenë përmirësimi i kushteve dhe krijimi i një sigurie për investitorët e huaj. Edhe gjatë këtij viti, vlera e investimeve të huaja, nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar Ekspertë për çështje ekonomike ndërkaq konsiderojnë se një ndër dështimet më të mëdha të qeverisë se Kosovës gjatë vitit 2016, është rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Të dhënat eBankës Qendrore të Republikës se Kosovës, tregojnë se deri në muajin shtator të këtij viti, shuma e investimeve të huaja kanë qenë 184 milionë euro. Kurse vitin 2015, investimet ndërkombëtare kanë qenë rreth 320 milionë euro. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se shtetet e rajonit kanë qenë shumëmë “agresive” në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare. “Ajo çka i karakterizon janë lehtësira në të bërit biznes, qasje më agresive karshi brendeve bazuar në Ligjin për Investime Strategjike dhe mbi të gjitha kanë përmirësuar imazhin politik”. “Prandaj Kosova duhet të mësojë nga vendet e rajonit dhe nuk i bëhet nder që Maqedonia të jetë edhe absorbues i investimeve të huaja, por edhe eksportues shumë më i madh se sa Kosova. Në të njëjtin rang është edhe Mali i Zi,e mos të flasim për Serbinë”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë. Drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani, thotë se autoritetet kompetente duhet të krijojnë ambient më të përshtatshëm për investitorët. “Arsyet pse investitorët hezitojnë të vijnë në Kosovë, janë të llojllojshme. Para se gjithash janë kushtet e të bërit biznes në Kosovë, që lidhen më mos funksionim të mirë të gjykatave, moszbatim të kontratave, që rrit riskun e operimit në Kosovë. Dhe për pasojë, i frikëson investitorët të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Normal se ka edhe barriera tjera”, ka thënë Hashani. Në një përgjigje përmes postës elektronike nga Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se vlera më e madhe e këtyre mjeteve, apo mbi 120 milionë euro janë investuar në sektorin e patundshmërisë, pasuar nga sektori i ndërtimit. Kurse në sektorin e prodhimi janë investuar vetëm 3.2 milionë euro. Alban Hashani, pohon se Qeveria e Kosovës duhet të dizajnojë politika ekonomike për tërheqjen e investuesve të huaj në të gjithë sektorët, konkretisht në ata që gjenerojnë zhvillim ekonomik. Investimi në patundshmëri, thotë ai, është realizuar kryesisht nga mërgimtarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. “Ne duhet të sigurohemi që kushtet për të investuar në Kosovë janë të mira dhe investimet janë të sigurta. Dhe që ata do të jenë subjekt i një trajtimi të barabartë si të gjithë investitorët tjerë dhe do të mund të marrin përfitime nga operimi në Kosovë”. “Orientimin e bëjnë investitorët vetë, mirëpo ne duhet të sigurojmë që të kemi investime në të gjithë sektorët. Diaspora edhe sivjet, sikur viteve tjera ka investuar shumë në patundshmëri“, thekson Hashani për Radion Evropa e Lirë. Sipas ekspertëve, situata politike është shkaktar i rënies se nivelit të investimeve të huaja. Sidoqoftë, shtetet që kanë pjesëmarrje më të madhe në investimet e huaja direkt në Kosovë janë Zvicra më 42.6 milionë euro, pasuar nga Britania e Madhe. Me qëllim të eliminimit të barrierave dhe procedurave burokratike për realizimin e investimeve të huaja, në muajin tetor në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Investimet Strategjike, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi. Ky i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Njëkohësisht, thuhet se ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, në krahasim me vendet fqinje dhe vendet e rajonit.