Figura e saj në ekranet televizive, pas tërmetit shkatërrues, jepte siguri. Një zonjë me flokët e bardha që tregonin vitet që mbarte mbi supe dhe eskperiencën, u bë figura më e dashur në këtë periudhë pos- tërmeti, ku të gjithë njerëzit ishin në panik. Bëhet fjalë për inxhinieren Luljeta Bozo, e cila ka dhënë këshillat e saj të vyera. Ajo sot ka qenë e ftuara e kryeministrit Edi Rama në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për punën e saj gjatë këtyre 9 ditëve. Kreu i qeverisë, për shkak të profesionalizmit të treguar, edhe pse puna e saj ishte e njohur, i kërkoi ndihmë për Paketën e Standardeve të Riparimeve.
“Jeni angazhuar dhe ju duket sikur ky profesion ju ka rinuar dhe do ishte shumë pozitive nëse ju do na ofronit ndihmë për Paketën e Standarteve të Riparimeve. Duam që t’i bëjmë vetë, në ato raste kur kompanitë do i marrin përsipër. Jeni një burim sigurie për njerezit. Aty ku janë dëmtuar elementët strukturor nuk do i hyjmë procesit të rikonstruktimit. Ku është prekur struktura do e shembin”, tha Rama.
Bozo u tregua e gatshme të merrte përsipër këtë detyrë, teksa nuk nguroi të jepte edhe dy-tre këshilla të saj, jo vetëm se si mund të kalohet kjo situatë, por edhe për të ardhmen, teksa bëri edhe një sugjeri me shumë vlerë.
“Patjetër! Të thuash që është e pabanueshme, duhet të sqarohet që është përkohësisht. Në këto ekipe që shkojnë angazhoni inxhinier me përvojë, se ka shumë të tillë. Duhet të jenë patjetër në ekipet e vlerësimit. Kishte çarje, por ajo çarje riparohet menjëherë. Nuk duhet të thoni e pabanueshme, se e pabanueshme do të thotë që duhet t’i vini dinamitin. E dyta, që e kam me shumë merak. Duhet një platformë si do organizuar ndërtimit. Si mendojmë ne në të ardhmen, si të rregullojmë dhe organizojmë ndërtimin. Do ndërtohen qendra të reja ndërtimi. Kemi pasur disa probleme që janë shkelur, që nga planifikimi kuturu”, tha Bozo.
Nga ana tjetër, duke u ndalur tek përgjegjësitë, kreu i qeverisë buri theksin në ashpërsim të ligjit.
“Janë disa godina të ndërtuara nga kompanitë. Ka pasur strukturën, tek muret kanë bërë gjëra qesharake. S’ka asnjë të dënuar për cenim të lejes së ndërtimit, e dyta arkitekti dhe inxhinieri duhet të bëhen persona përgjegjës që kur pronari i thotë që ma bëj këtë jashtë lejes, do të thonë ose duhet të mbajnë përgjegjësi do ta rëndojmë pjesë si dhe duhet të bëjmë pastrim me licencat”, tha kryeministri.
Në përfundim të këtij takim i cili zgjati për rreth disa minuta, u ra dakord që inxhinierja do të mbajë në ditët në vijim një konferencë ku do të shpjegojë me shembuj konkretë, rastet kur një banesë shpallet e banueshme dhe kur duhet shembur.
“Do të bëjmë një konferencë publik,e ku mund të jepni disa shembuj që se cila është banesë e banueshme ose jo”, tha Rama, për të cilën gjeti një dakordësi edhe nga ana e inxhinieres.