Me rastin e afrimit të Krishtlindjeve, ipeshkvijtë katolikë kanë dërguar një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët. Në urim ngrihen problemet me të cilat përballet sot vendi ynë. Mes të tjerash ipeshkvijtë katolikë ngrejnë problemin e varfërisë në vend, korrupsionit drogës apo dhe papunësisë.
Po ashtu, në realitetin tonë shqiptar, duket se shumë dukuri errësojnë atë të mirë që çdo ditë, edhe pse në heshtje, hedh farën e saj në jetën tonë. Në shumë anë të Shqipërisë ka varfëri dhe mjerim, sidomos në zonat më periferike të vendit, në fshatrat e braktisura, por edhe në periferitë e qendrave të mëdha urbane. Shpesh jetohet nën minimumin jetik. Kjo ka bërë që rreth 50 % e shqiptarëve, sipas statistikave, të dëshirojnë të ikin nga Shqipëria për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme, duke zbrazur kështu kombin.
E kjo vjen si pasojë e mungesë së shpresës. Errësira është mungesë shprese. Korrupsioni, pasurimi nëpërmjet kultivimit të lëndëve narkotike, papunësia, etj., bëjnë që hendeku midis të varfërve dhe të pasurve, të fortëve dhe të dobëtëve, të bëhet gjithnjë e më i madh e të thellohet gjithnjë e më shumë. Edhe ne si popull ia kemi dalë në shumë raste e përsëri me ndihmën e Zoti dhe angazhimin tonë të sinqertë mund t’ia dalim. Janë bërë shumë gjëra të mira në këto vite në Shqipëri e për këtë duhet të falënderojmë Zotin. Ka shumë burra dhe gra që punojnë seriozisht dhe me përkushtim, qoftë në sektorin publik e qoftë në atë privat. Ne si ipeshkvij e inkurajojmë këtë gjë e japim kontributin tonë si bashkësi e krishterë katolike, bashkë me shoqërinë, për të mirën e vendit tonë. Edhe ne jemi të angazhuar si Kishë, nëpërmjet shumë veprave dioqezane e famullitare, që t’u vijmë në ndihmë familjeve dhe individëve me probleme të varfërisë, të aftësisë së kufizuar, të grave të dhunuara, të familjeve të pamundura.
Kemi ndërtuar dhe administrojmë në këto vite shkolla të të gjitha niveleve, kopshte, çerdhe e qendra shëndetësore që ofrojnë një shërbim të rëndësishëm dhe cilësor. Ndoshta mund të bëhet edhe më shumë e ne jemi të gatshëm të angazhohemi që kjo të ndodhë, kudo dhe kurdo të jepen mundësitë. Por mbi të gjitha jemi të angazhuar që të kumtojmë fjalën e Zotit e cila është një fjalë shprese dhe drite.
Krishtlindja është shfaqja e dashurisë së pamasë të Zotit për njeriun dhe për botën: “Hyji aq fort e deshi botën saqë dha Birin e tij një të vetmin” (Gjn 3,16). E Ai, Krishti, për të gjithë ata që ecin në terr dhe në hijen e vdekjes, bëhet dritë dhe udhërrëfyes. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2018