Ushtria iraniane pranoi sot se kishte rrëzuar “jo qëllimisht” avionin ukrainas, incident nga i cili humbën jetën të 176 njerëzit në bord. Pohimi erdhi pasi Kanadaja dhe zyrtarë të SHBA thanë se avioni u rrëzua nga një raketë iraniane, ndoshta gabimisht.

“Republika Islamike e Iranit shpreh keqardhjen e thellë për këtë gabim katastrofik” dhe “hetimet do të vazhdojnë të identifikojnë dhe ndjekin penalisht” autorët e kësaj “tragjedie të madhe” dhe “këtij gabimi të pafalshëm”, tha Presidenti iranian Hassan Rohani në një postim në Twitter.

“Ata që janë përfshirë në rrëzimin e aeroplanit të Ukrainës së shpejti do të gjykohen,” tha Rohani.

Selia e Forcave të Armatosura të Iranit pohoi se ‘Boeing 737’ i rrëzuar katër ditë më parë menjëherë pasi pasi u ngrit nga aeroporti ‘Imam Khomeini’ i Teheranit ishte “gabim njerëzor” dhe se ai u ngatërrua me një “avion armik”.

Avioni, i cili sapo ishte nisur nga Teherani për në Kiev, u rrëzua të mërkurën, në kohën që Irani ishte në gatishmëri për një përgjigje ushtarake nga SHBA, disa orë pasi kishte hedhur raketa ndaj objektivave amerikane në Irak.

Për disa ditë rresht Irani mohonte që avioni Boeing 737-800 të ishte rrëzuar nga një raketë dhe thoshte se mund të duhej një ose dy muaj për të nxjerrë informacione nga regjistruesit e të dhënave të zërit dhe fluturimit. Shtetet e Bashkuara i dorëzuan Presidentit të Ukrainës Volodymir Zelenskiy të dhëna të rëndësishme për rrëzimin përpara një telefonate me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo të premten.

Artikulli paraprakZJARR NË SPITALIN E DURRËSIT/ FLAKËT PËRFSHIJNË 4 KATET E GODINËS, RRETH 80 PACIENTË TË EVAKUUAR
Artikulli tjetërMOTI I KTHJELLËT ME TEMPERATURA NË RRITJE SI DHE RESHJE BORE E SHIU NË KËTO ZONA! JA SI NIS FUNDJAVA