Pasurimi i uraniumit të Iranit po vazhdon bazuar në kornizën e krijuar nga Parlamenti i shtetit, tha shefi i agjencisë bërthamore, Mohammad Eslami më 27 gusht. Ai iu përgjigj kështu pyetjes së gazetarëve nëse Teherani po ngadalëson pasurimin e uraniumit prej 60 për qind pastërti.

“Pasurimi ynë bërthamor po vazhdon bazuar në kornizën strategjike ligjore”, tha Eslami, duke iu referuar legjislacionit përkatës.

Më herët gjatë këtij muaji, Wall Street Journal raportoi se Irani kishte ngadalësuar ndjeshëm ritmin me të cilin po akumulonte uraniumin e pasuruar dhe kishte zvogëluar rezervat. Këto lëvizje do të ndihmonin në uljen e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe në ringjalljen e bisedimeve për çështjen e programit bërthamor të Iranit. Më 2020, Parlamenti iranian miratoi një ligj që i kërkonte Qeverisë të ndërmerrte masa sikurse rritjen e pasurimit të uraniumit përtej kufizimeve të vendosura në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nëse palët e tjera në këtë marrëveshje nuk e respektonin atë. Pasi Uashingtoni u largua nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit, Teherani nisi shkeljen e marrëveshjes.

Irani, që sipas marrëveshjes bërthamore mund të pasurojë uranium deri në 3.67 për qind, më 2021 e rriti këtë nivel deri në 60 për qind pastërti. Kjo nënkupton se shteti i afrohet nivelit të kërkuar për zhvillimin e një bombe bërthamore. Teherani vazhdimisht ka mohuar se synon të krijojë bombë bërthamore.

Artikulli paraprakDO SHPALLNI ZGJEDHJE TË REJA NË HIMARË? RAMA: MENDOJ SE DUHET TË PRESIM GJYQIN, OSE DO TA LIROJMË NGA DETYRA
Artikulli tjetërMALËSI E MADHE/ FINALIZOHET OPERACIONI POLICORË I KODUAR “SLOT MACHINE”