Uragani Irma u përplas mbi ishujt Turks dhe Caicos pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet e vrau të paktën 14 vetë.

Fuqia e erërave të uraganit ka rënë lehtë nga 295 në 270 km/h, por stuhia e kategorisë së pestë, një ndër më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë, vazhdon të godasë pa mëshirë çdo gjë në rrugën e saj. Pasi rrafshoi Barbudën dhe pjesë të St. Martin, Irma kërcënon ishujt Bahamas me përsëritje të skenarit të ferrit dhe ngritje të nivelit të detit deri në 6 metra mbi normalen.

Frika për jugun e Floridës po shtohet gjithmonë e më shumë. Trajektorja e uraganit po lëviz duke e vendosur Majemin në pozicionin më të keq të mundshëm. E gjithë ajo zonë, sipas metereologëve, mund ta gjejë veten këtë fundjavë në syrin e stuhisë, edhe pse disa prej modeleve kompjuterike e projektojnë lëvizjen e uraganit më tepër në skajin perëndimor, çka jep një farë shprese se një pjesë e rajonit mbase do të kursehet nga një tërbim maksimal i motit. Autoritetet megjithatë po përgatiten për më të keqen.

“Pavarësisht se në cilin breg të Floridës jetoni, përgatituni për evakuim”, deklaroi të enjten guvernatori i këtij shteti, Rick Scott. Shtëpitë mund t’i rindërtoni, shtoi ai, por jetën nuk e ktheni dot. Kreu i agjensisë amerikane të emergjencave po ashtu parashikoi pasoja katastrofike.

Frika detyroi kryeministrin e Bahamasit, Hubert Minnis të urdhërojë largimin e banorëve në 6 ishuj, çka e bën këtë evakuimin më të madh nga stuhia në historinë e vendit. Në rrugën e Irmës pas tyre është Kuba, ku turistët po largohen, ndërsa banorët e qyteteve bregdetare janë këshilluar të lëvizin drejt vendeve më të larta. Qendra e Uraganëve thotë se Irma do të vazhdojë të mbetet një stuhi e kategorisë 4 ose 5 për disa ditë.

Artikulli paraprakPRESIDENTI GREK: SHQIPËRIA PO MINON RRUGËN DREJT BE
Artikulli tjetërRUÇI NË KRYE TË KUVENDIT, REAGON DEPUTETI I PD BARDH SPAHIA