Këshilli Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ka njoftuar se më 12 qershor, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, do të qëndrojnë në Kosovë për të shënuar hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë 20 vjet më parë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, është bërë e ditur se Clinton do të mbajë një fjalim në ceremoninë qendrore, që do të mbahet sot në Prishtinë.

“Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme.

Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.”

Bill Clinton ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë kur më 24 mars të vitit 1999, kanë nisur sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati shpallur muaj më parë, vitin 2019, si vit të NATO-s.

Artikulli paraprakINSTAT: ULET 0.4 PAPËPUNËSIA NË TREMUJORIN E PARË NGA VITI I KALUAR
Artikulli tjetërPOTHUAJSE 600 LLOJE BIMËSH JANË ZHDUKUR GJATË 250 VITEVE TË FUNDIT