Thirrja e Fatos Hoxhës për Bashën: Largo të korruptuarit në krye të PD
Një deklaratë e fortë ka ardhur nga ish-deputeti demokrat, Fatos Hoxha. Ai i bën thirrje Lulzim Bashës të largojë menjëherë të korruptuarit që janë në krye të PD-së. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, i cili është dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së i bën thirrje liderit të ri Basha që të pastrojë sa më parëpartinë nga të korruptuarit. Ish-deputeti Fatos Hoxha, për “GSH”, apelon për ndarje përfundimtare nga të korruptuarit, trashëgimia e keqe dhe ata që i cilëson si pengmarrësit e piratët e PD-së. Gjithashtu ai akuzon edhe një grup njerëzish në këtë parti, të cilët sipas tij, e duan PD-në të marrë peng, të vogël, të rrudhur, të pafuqi e të mjerë. Duke vlerësuar pozitivisht kryetarin e kësaj partie, Lulzim Basha, ish-deputeti Fatos Hoxha, i njohur tashmë për qëndrime kundër lidershipit të PD-së, deklaron se një kategori e caktuar, janë bërë bashkë dhe janë kundër PD. Në vijim ish-deputeti Hoxha u shpreh se kongresi nuk mund të jetë bashkimi, por duhet të jetë ndarja nga trashëgimia e keqe, nga politikat e dështuara, nga modeli i keqqeverisjes dhe qeveritarët e korruptuar, ndarja nga korrupsioni, klientelizmi, keqpërdorimi i shtetit dhe kultura e pandëshkueshmërisë.