Ish deputeti i PD Bardh Spahia ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama lidhur me shëndetësinë ndërsa ka listuar disa prej problematikave që shqetësojnë qytetarët shqiptar dhe me të cilat përballen çdo ditë në spitale duke thënë se shëndetësia është me tollon vetëm nga Edi Rama. Ja se çfarë shkruan ish deputeti Spahia në këtë reagim të tij në faqen e facebook:
“Nesër kryeministri ilegjitim do inaugurojë me bujë godinën e re të shërbimeve kirurgjikale në QSUT, ku përfshihen klinikat 1, 3 dhe Urologjia. Në fakt investimi “i madh” i qeverisë është një flluskë sapuni, në filozofinë e “tollonit”, pra racionimit të kujdesit shëndetësor, por edhe të kthimit pas në teknologji.
1- Eshtë përgjysmuar numri i shtretërve, duke mos patur mjaftueshem shtretër as për urgjencat, e jo më për të sëmurët e planifikuar. Sa për ilustrim: nga 50 shtretër që ka patur klinika 3, numri reduktohet në 30. Kurse klinikës 1 i ulet numri I shtretërve nga 34 në 30.
2- Teknologjia pastaj është histori më vete, skandaloze. Pajisjet e përdorura janë “standard definition“ e jo „high definition“ sic është standardi modern në Europë. Burimet thonë se firmës fituese I janë dashur përpjekje titanike për të gjetur atë teknologji të viteve ’90 për kolonat e aparaturat e videolaparoskopisë, se nuk po përdoren më.
3- Nuk është menduar për ambiente të nevojshme për studentët, profesorët që të zhvillojnë mësim në këtë qendër edukuese. Për stafin mjekësor janë vetëm 4 dhoma të vogla, pra 2-3 mjekë në një dhomë. Filozofia dritëshkurtër rilindase harron faktorin kryesor, atë njerëzor.
Të gjitha këtyre mangësive, u shtohet ajo më e madhja: rreziku kryesor i mospërmbushjes së numrit të ndërhyrjeve të planifikuara për shkak të koncesionit të sterilizimit e mungesës së fondeve. Paaftësia e kombinuar me makutërinë është rrezik fatal për qytetarët e vendin!”, përfundon ish deputeti i PD Bardh Spahia