Ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka kaluar vettingun duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Hajdarmataj para dy ditësh doli para trupës së komisionit të vettingut që nuk kapi shkelje. Gjithashtu, trupa e KPK-së vendosi transferimin e dosjes që i përket cështje penale nr. 129 të vitit 2010 pranë organit kompetent (ILD) për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore. Dosja bën fjalë për kohën kur Hajdarmataj ka qenë drejtues prokurorie në Durrës në vitin 2010 dhe ka transferuar një dosje në Elbasan.
Në seancën e kaluar, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkoi një shpjegim Besim Hajdarmatajt pse u transferua dosja e 12 tonëve kanabis, sekuestruar në Përmet në 2017 tek Prokuroria e Përmetit.
Por Hajdarmataj tha se ai ka respektuar pavarësinë e prokurorit të çështjes pasi kështu e detyron ligji, ndërsa mbi 25 denoncimet e bëra për të KPK tha se nuk kishin prova që faktonin shkeljen e ligjit. Për hetimin e pasurisë, prokurorit që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, KPK zbuloi edhe një dhuratë në 6 mijë euro dhe 4 mijë paund nga vëllai i prokurorit që jetonte në Angli.
Por, pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të mbledhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin e tij në detyrë. Hajdarmataj nuk u përzgjodh në listën e 15 prokurorëve të SPAK edhe pse kandidoi.
Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën. Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Progradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror.