Qeveria miratoi emërimin e Enkeljeda Muçaj në detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Artur Metanin, i cili u zgjodh Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi: Znj. Enkelejda Muçaj emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Sipas vendimit të publikuar në faqen e qeverisë, akti hyn në fuqi menjëherë.

Enkelejda Muçaj do të marrë drejtimin e Avokaturës së Shtetit pas mbetjes së vendit vakant nga largimi i Artur Metanit i cili në janar të këtij viti u votua nga Parlamenti në detyrën e drejtuesit të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Avokatja Enkelejda Muçaj ka përfaqësuar kryeministrin Edi Rama në dhjetëra procese gjyqësore të hapura prej tij përfshirë edhe paditë për shpifje që kreu i qeverisë ka ngritur ndaj përfaqësuesve të opozitës.

Enkeljeda Muçaj punon si avokate në një firmë ligjore prej vitit 2000. Ajo ka asistuar klientë të huaj dhe vendas që operojnë veçanërisht në sektorin e naftës, gazit dhe minerareve si dhe në industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri.

Në vitet 1998-2000, Enkelejda Muçaj ka pasur edhe një rol si “Këshilltare Ligjore e Ministrit të Kulturës dhe Rinisë së asaj kohe, Edi Rama. Ajo ka ofruar ndihmë juridike posaçërisht në lidhje me kornizën e re ligjore të ligjit për të drejtat e autorit në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në biografinë e saj.

Artikulli paraprakISHTE DUKE KALUAR RRUGËN, ESKAVATORI PËRPLAS PËR VDEKJE 55-VJEÇARIN
Artikulli tjetërSHËNDETI – 04.03.2020